Gjenerali i lartë amerikan: Tërheqja nga Afganistani, një "dështim strategjik"
Oficeri më i lartë ushtarak amerikan e cilësoi evakuimin nga Afganistani si "një sukses logjistik, por edhe një dështim strategjik".
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Mark Milley foli në një seancë në Senat mbi tërheqjen dhe evakuimin e ushtrisë amerikane nga Afganistani. Gjenerali i lartë amerikan e vlerësoi prerazi misionin e evakuimit në Afganistan duke thënë:“Ishte një sukses logjistik, por një dështim strategjik”. Ndërsa për përfundimin e luftës në përgjithësi ai u shpreh: “Një dështim strategjik. Armiku është në krye të Kabulit. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta përshkruar - kjo është pasojë e gabimeve të akumuluara në 20 vite, jo 20 ditë". Gjenerali Milley, së bashku me shefin e Komandës Qendrore, Gjeneral Frank McKenzie, thanë se ata personalisht kishin kërkuar që të mbaheshin minimumi 2.500 trupa në Afganistan. Pohimet e gjeneralëve ishin në kontrast me ato të Presidentit Joe Biden, i cili ka thënë se nuk i kujtohej asnjë këshilltar i tij që e kishte nxitur të mbante një forcë të vogël ushtarake amerikane në Afganistan. Shtëpia e Bardhë të martën mbrojti përsëri vendimin për të larguar të gjitha trupat nga Afganistani.