Shtohen rastet me Covid në Evropë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i116036-shtohen_rastet_me_covid_në_evropë
Situata e pandemisë ka nisur të përkeqësohet në Evropë, e sidomos në lindje të kontinentit të vjetër.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Tetor 22, 2021 17:18 Europe/Tirane
  • Shtohen rastet me Covid në Evropë

Situata e pandemisë ka nisur të përkeqësohet në Evropë, e sidomos në lindje të kontinentit të vjetër.

Letonia hyri në izolim njëmujor, pasi numri i rasteve të reja me koronavirus shënoi nivele rekord. Brenda 24 orëve të fundit, 3.000 infektime të reja u regjistruan në këtë vend. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha se Letonia ka aktualisht shkallën më të lartë të infeksionit në Evropë. Kjo e shtyu kryeministrin Krisjanis Karins të njoftojë se për katër javë, do të kalohet në një regjim më të rreptë, ndërsa bëri gjithashtu thirrje për të shtuar ritmin e vaksinimeve. Vetëm pak më shumë se gjysma e popullsisë letoneze është imunizuar deri tani plotësisht kundër Sars Cov 2. Masat e reja të izolimit do të përfshijnë dhe rikthimin e ndalim-qarkullimit gjatë natës. Në Bullgari, autoritetet spitalore raportuan se numri i pacientëve të shtruar me koronavirus është rritur me 30 për qind muajin e fundit. Në Rumani, ku shifra ditore e të infektuarve ka arritur në 19,000 këtë javë, një në tre të rritur është i vaksinuar. Në Ukrainë, autoritetet shëndetësore thanë se kanë regjistruar mbi 22,000 raste infektimesh brenda një dite, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur në muajin prill. Mjaft vende në Evropën Lindore, janë duke bërë përpjekje për të rritur normat e vaksinimit, të cilat janë më të ulëtat në Bashkimin Evropian. Rusia sakaq raportoi raste të izoluara me një mutacion të variantit Delta, që besohet të jetë edhe më ngjitës.