Acarohet kriza e emigrantëve në Europë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i117044-acarohet_kriza_e_emigrantëve_në_europë
Polonia i druhet një përshkallëzimi të situatës “një konflikt të armatosur” në kufi me Bjellorusinë, për shkak se fqinji i tyre mund të provokojë incidente me qindra emigrant që kërkojnë të hyjnë në BE.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Nëntor 09, 2021 19:13 Europe/Tirane
  • Acarohet kriza e emigrantëve në Europë

Polonia i druhet një përshkallëzimi të situatës “një konflikt të armatosur” në kufi me Bjellorusinë, për shkak se fqinji i tyre mund të provokojë incidente me qindra emigrant që kërkojnë të hyjnë në BE.

Qindra trupa shtesë janë vendosur aty për shkak të turmave të dëshpëruara që u përpoqën të prisnin gardhin kufitar me tela me gjemba. Polonia akuzon Bjellorusinë se po orkestron problemin, por kjo është mohuar nga liderët e saj. Polonia thotë se po mbyll një pikë të madhe kufitare në Kuznica. Muajt e fundit shtetet anëtare të BE-së dhe të NATO-së, Polonia, Lituania dhe Letonia kanë konstatuar një rritje të numrit të personave që përpiqen të hyjnë ilegalisht nga Bjellorusia. Zëdhënësi i qeverisë Piotr Muller tha se mbi 4000 emigrantë janë mbledhur pranë kufirit lindor të Polonisë dhe u tha gazetarëve se nga momenti në moment presin "një përshkallëzim...i cili do të jetë i një natyre të armatosur". Ministria polake e Mbrojtjes ka njoftuar se mbi 12 mijë ushtarë po qëndrojnë në gatishmëri në kufi me Bjellorusinë. Këshilli Evropian pezulloi pjesërisht marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Bjellorusinë, për shkak të, siç tha, nxitjes së krizës me emigrantë në kufirin me Poloninë. Këshilli Evropian e cilësoi këtë si “sulm hibrid” të Minskut. Sipas vendimit të tij, pezullimi i pjesëve të marrëveshjes – e cila i redukton kërkesat për dokumente dhe tarifat e aplikimit për vizë – nuk do t’i prekë qytetarët e zakonshëm bjellorusë, por vetëm zyrtarët. “Ne e dënojmë dhe kundërshtojmë fuqishëm instrumentalizimin e vazhdueshëm të migracionit nga regjimi i Bjellorusisë”, tha ministri i Brendshëm slloven, Ales Hojs, i cili kryeson Këshillin e Punëve të Brendshme. “Është e papranueshme që Bjellorusia të luajë me jetët e njerëzve për qëllime politike. Vendimi i sotëm tregon edhe një herë angazhimin tonë të përbashkët, për të vazhduar kundërshtimin e këtij sulmi të vazhdueshëm hibrid”, tha Hojs. Vendimi erdhi pasi Polonia mbylli të martën një vendkalim përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë, sepse emigrantët në anën bjelloruse u përpoqën të çanin një gardh, për të hyrë në Poloni – vend anëtar i BE-së.