Vazhdon kriza e emigrantëve dhe konflikti mes Bjellorusisë dhe Evropës
Me vazhdimin e krizës së emigrantëve në kufirin e Bjellorusisë me Evropën dhe sidomos në kufijtë e Polonisë, janë shtuar në masë të konsiderueshme edhe tensionet në Bashkimin Evropian.
Autoritetet në Poloni thanë se kanë arrestuar dhjetëra emigrantë, që kanë kaluar me forcë kufirin nga Bjellorusia.
Qindra të tjerë mbeten të bllokuar në ambiente të hapura, përgjatë kufirit. Kriza me emigrantë në këtë zonë po vazhdon tash e sa muaj. Bashkimi Evropian e akuzon udhëheqësin autoritar të Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, për nxitjen e fluksit, si hakmarrje për sanksionet që ka ndërmarrë BE-ja kundër regjimit të tij.
Sipas radios polake RMF, rreth 200 persona kanë bërë përpjekje të shkelin kufirin polak pasditen e së martës dhe rreth 60 të tjerë kanë bërë përpjekje të ngjashme gjatë natës. Një zëdhënës i departamentit rajonal të policisë tha se autoritetet kanë arrestuar më shumë se 50 persona. “Ka qenë një natë jo e lehtë përgjatë kufirit Poloni-Bjellorusi”, tha të mërkurën ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak.
Blaszczak shtoi se forca polake në kufi është rritur nga 12,000 ushtarë në 15,000.
Ndërkohë Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, akuzoi të martën presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për, siç tha, orkestrimin e një vale të paprecedentë emigrantësh, që përpiqen të hyjnë ilegalisht nga Bjellorusia në Poloni.
“Ky sulm që po bën Lukashenka e ka trurin e tij në Moskë; organizator është presidenti Putin”, tha Morawiecki në një seancë urgjente të Parlamentit polak.
Të martën, Lituania është bërë vendi i dytë i BE-së - pas Polonisë - që ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në kufirin e saj me Bjellorusinë, për shkak të krizës me emigrantë.
Udhëheqësi i Bjellorusisë Alexander Lukashenko ka mohuar pretendimet se po dërgon emigrantë përtej kufirit në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e BE-së. Pamjet tregojnë turma njerëzish pranë një gardhi kufitar me gjemba. Disa prej tyre përpiqen të kalojnë me forcë ndërsa rojet polake i largojnë me gaz lotsjellës.
Shumë nga emigrantët janë të rinj, por mes tyre ka gra dhe fëmijë, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia. Temperaturat gjatë natës në kufi kanë rënë nën zero dhe disa njerëz kanë vdekur gjatë javëve të fundit.
Rusia ka dërguar dy aeroplanë bombardues në hapësirën ajrore të Bjellorusisë në kohën e rritjes së tensioneve të kësaj të fundit me Poloninë për krizën me emigrantë në kufirin e përbashkët.
Ministria ruse tha se bombarduesit e tipit “Tu-22M3” e patrulluan hapësirën ajrore dhe ndihmuan në testimin e sistemit të përbashkët të mbrojtjes ajrore të Bjellorusisë e Rusisë, shkruan Independent, transmeton Express.
Të mërkurën, Kremlini mohoi se qëndron prapa krizës në rritje, pasi Polonia e akuzoi Moskën se është organizatore e zhvillimeve në kufi me Bjellorusinë.