Macron: Britania e Madhe po luan me nervat tona
Presidenti francez Emmanuel Macron ka akuzuar Britaninë se po luan me nervat e vendit të tij në një mosmarrëveshje mbi licencat e peshkimit pas Brexit.
Franca po kërkon më shumë leje për të peshkuar në ujërat britanike sipas marrëveshjes tregtare Britani-BE dhe kishte kërcënuar të ndalonte anijet britanike të peshkimit në portet e saj dhe të rriste kontrollet mbi eksportet e Britanisë nga 2 nëntori. “Nuk kemi marrë atë që kemi dashur. Ata po luajnë me nervat tona”, tha Macron gjatë një vizite në Aulnoye-Ameries në Francën veriore. Lufta verbale midis dy qeverive ka vazhduar, me Londrën që paralajmëroi se mund të ndërmarrë veprime ligjore kundër Parisit. "Ne do të vazhdojmë të luftojmë, ne nuk do të braktisim peshkatarët tanë," tha Macron, duke akuzuar britanikët se nuk respektojnë marrëveshjet e tyre. “Unë ia thashë shumë qartë Borisit”, tha lideri francez, duke iu referuar kryeministrit britanik Boris Johnson. Sipas marrëveshjes tregtare të Brexit të përfunduar pak para Krishtlindjeve 2020, anijet e peshkimit të BE-së mund të vazhdojnë të peshkojnë në ujërat britanike nëse marrin një licencë. Por ato duhet të vërtetojnë se më parë kanë qenë duke peshkuar atje - një kërkesë që varkat më të vogla franceze, pa teknologjinë e duhur, e kanë pasur të vështirë ta përmbushin. Shumë prej tyre kanë dështuar të sigurojnë licenca nga autoritetet në Britani. Franca argumenton se varkat janë të njohura mirë për autoritetet britanike dhe të dhënat e tyre të kaluara janë të njohura. Macron i bëri thirrje Komisionit Evropian që të ushtrojë presion mbi Britaninë, për të pranuar aplikimet për licencë nga peshkatarët francezë për të operuar në ujërat e saj. “Komisioni duhet të na mbrojë. Duhet ta shohë këtë, por po ecën shumë ngadalë, shumë dobët”, tha presidenti francez. "Nëse Komisioni nuk luan rolin e tij, Franca do ta luajë atë."