Rusia denoncon Perëndimin për 'rritje artificiale' të tensioneve rreth Ukrainës
Rusia ka kritikuar Perëndimin për rritjen artificiale të tensioneve rreth Ukrainës me deklarata të përsëritura që akuzojnë Moskën se po përgatitet të zhvillojë një agresion ushtarak ndaj fqinjit të saj, duke u bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj të ndalojnë dislokimin e forcave të ushtrisë në afërsi të kufijve rusë.
“Kjo histeri po krijohet artificialisht. Ne po akuzohemi për një lloj aktiviteti të pazakontë ushtarak në territorin tonë nga ata që kanë sjellë forcat e tyre të armatosura nga përtej oqeanit, domethënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha të dielën zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Ai i cilësoi akuzat e vendeve perëndimore si "jo logjike e të pasjellshme", duke paralajmëruar se "një provokim" në rajon nuk mund të përjashtohej duke pasur parasysh gjithë retorikën e përdorur nga Uashingtoni. Komentet e Peskov erdhën vetëm një ditë pasi Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken pretendoi se SHBA ka shqetësime reale, të cilat ndahen gjerësisht me partnerët e saj në Evropë, mbi ato që ai i quajti aktivitetet ruse në kufijtë e vendit ish-sovjetik. Moska paralajmëroi se NATO do të kalonte vijën e kuqe ruse nëse do të zgjeronte infrastrukturën e saj ushtarake në Ukrainë, e cila përpiqet të bëhet një vend anëtar i NATO-s.