Vazhdojnë tensionet Francë- Angli: Parisi anulon bisedimet pas letrës për emigrantët
(last modified Fri, 26 Nov 2021 18:57:34 GMT )
Nëntor 26, 2021 19:57 Europe/Tirane
  • Vazhdojnë tensionet Francë- Angli: Parisi anulon bisedimet pas letrës për emigrantët

Në një sfidë të hapur ndaj Londrës, ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, anuloi bisedimet me homologen britanike Priti Patel, menjëherë pasi shefi i ekzekutivit anglez Boris Johnson i beri thirrje Francës të kthejë emigrantët që kanë kaluar La Manshin.

Si pasojë e përshkallëzimit të krizës politike, pas vdekjes së 31 personave ne det të mërkurën, Darmanin ka thënë se Franca është zhgënjyer nga letra. “Publikimi i saj e bën edhe më të keqe situatën”, u shpreh ai dhe e pohoi qartë se si rezultat i letrës,sekretarja e brendshme britanike Priti Patel nuk është më e ftuar. Fundosja e gomones shënoi  incidentin me numrin më të madh të viktimave në La Mansh, duke përfshirë 21 burra, shtatë gra – njëra prej tyre shtatzënë – dhe tre fëmijë. Puna për identifikimin e tyre ende vazhdon, ndërkohë sipas autoriteteve franceze që shkaqet e tragjedisë lidhen me shfryrjen e gomones, dhe me temperaturat e ulëta të ujit. Ndërkohë të mbijetuarit po marrin trajtim spitalor, ku dy prej tyre raportohen në gjendje të rëndë. Kryeministri britanik Johnson theksonte në letër se një marrëveshje me Francën për të marrë emigrantët që e kanë kaluar La Manshin përmes kësaj rruge të rrezikshme, do të kishte ndikim të menjëhershëm. Sipas të dhënave të autoriteteve franceze, 31,500 persona janë përpjekur të kalojnë përmes kësaj rruge ne Britani që nga fillimi i vitit; 7,800 persona janë shpëtuar në det. Më shumë se 25 mijë persona kanë mbërritur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar këtë vit, shifër kjo tre  herë më e lartë sesa në 2020. Duke qenë se vendkalimi i rrezikshëm është në kufi me Francën dhe Anglinë të dy qeveritë janë vënë në lëvizje për një strategji të përbashkët. Presidenti Francez Emmanuel Macron, është zotuar se nuk do ta lejojë që ky kanal të shndërrohet në një “varreze” dhe ka biseduar me kryeministrin britanik Boris Johnson për të rënë dakord që të shtohen përpjekjet për të penguar veprimtarinë e trafikantëve.

 

Tags