Gjermania kërkon sanksione më të ashpra ndaj Rusisë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i119384-gjermania_kërkon_sanksione_më_të_ashpra_ndaj_rusisë
Sanksione më të ashpra duhet të vendosen ndaj presidentit rus Vladimir Putin për vendosjen e trupave në kufirin ukrainas, tha ministrja e re e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht për të përjavshmen Bild am Sonntag.
(last modified 2026-03-28T19:16:51+00:00 )
Dhjetor 20, 2021 16:22 Europe/Tirane
  • Gjermania kërkon sanksione më të ashpra ndaj Rusisë

Sanksione më të ashpra duhet të vendosen ndaj presidentit rus Vladimir Putin për vendosjen e trupave në kufirin ukrainas, tha ministrja e re e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht për të përjavshmen Bild am Sonntag.

Siç theksoi ajo, Putin duhet “personalisht të ndjejë pasojat” e veprimeve të tij dhe të mos lejohet të “bëjë më pazar në Champs Elysees në Paris”. Bashkimi Evropian dhe shtatë vendet më të fuqishme të botës (G7) e kanë paralajmëruar Rusinë për “pasoja masive” në rast të një sulmi ndaj Ukrainës. E pyetur nëse BE-ja duhet të rishikoj gjithashtu gazsjellësin rus “Nord Stream II” për sanksione të mundshme, Lambrecht tha se bllokut do t’i duhet “të përdorë kutinë e tij të plotë të mjeteve”. Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock premtoi gjithashtu “pasoja të ashpra diplomatike” dhe ekonomike në rast të agresionit rus. Baerbock dërgoi një nga sekretarët e saj të shtetit në Ukrainë. Sipas Ministrisë së Jashtme, hapi përcjell solidaritetin e Gjermanisë me Ukrainën. Lambrecht nuk përjashtoi dërgimin e ushtarëve gjermanë në Ukrainë, por tha se çdo hap i ndërmarrë do të duhej të koordinohej ngushtë me partnerët e NATO-s dhe duhet së pari të shteren “të gjitha opsionet e tjera, duke përfshirë sanksionet ekonomike dhe diplomacinë”.