Bota pret Vitin e Ri 2022 nën hijen e pandemisë
(last modified Fri, 31 Dec 2021 18:23:01 GMT )
Dhjetor 31, 2021 19:23 Europe/Tirane
  • Bota pret Vitin e Ri 2022 nën hijen e pandemisë

Për të dytin vit radhazi, në orët e fundit të vitit 2021 planeti po përgatitet të presë vitin e ri nën hijen e pandemisë, me valën e variantit më të ri, i cili aktualisht përbën shumicën e rasteve në shumë vende të botës.

Në Evropë, koncertet tradicionale dhe shfaqjet e fishekzjarrëve, të cilat zakonisht tërheqin mijëra spektatorë në rrugë, janë anuluar në shumicën e qyteteve kryesore, duke përfshirë Londrën, Parisin, Zyrihun, Brukselin, Varshavën dhe Romën. Në Francë autoritetet e shëndetit publik konfirmojnë se varianti Omicron mbizotëron në pjesën më të madhe të rasteve. Për të dytën ditë radhazi ky vend ka raportuar më shumë se 200 000 raste të reja. Edhe në Gjermani tubimet në natën e ndërrimit të viteve janë pezulluar, ndërkohë lejohen takimet deri në 10 persona, përfshirë këtu dhe të vaksinuarit. Në Spanjë, festimet janë anuluar në shumicën e zonave. Vetëm Madridi do të zhvillojë një spektakël në sheshin e famshëm Puerta del Sol. Italia gjithashtu ka forcuar kufizimet, duke përfshirë ndalimin e të gjitha festimeve publike të Vitit të Ri. Autoritetet kanë bërë thirrje për kontrolle më të forta për të zbatuar vendimin e ndalimit të festave në ambiente të mbyllura dhe në mjedise të hapura. Në SHBA, Nju Jorku ka reduktuar ndjeshëm numrin e njerëzve që lejohen të jenë në Times Square në natën e ndërrimit të viteve. Gjithashtu të pranishmit duhet të paraqesin certifikatë vaksinimi dhe të mbajnë maska. Organizata Botërore e Shëndetësisë nga ana e saj ka paralajmëruar për një shtim të infeksioneve nga variantet e reja, të cilat mund të ndikojnë në sistemet shëndetësore.

 

Tags