Policia kanadeze arreston qindra protestues
(last modified Fri, 18 Feb 2022 18:24:38 GMT )
Shkurt 18, 2022 19:24 Europe/Tirane
  • Policia kanadeze arreston qindra protestues

Policia filloi arrestimin e protestuesve dhe tërheqjen e kamionëve të premten, 18 shkurt, në një përpjekje për të thyer bllokimin tre-javor të trafikut të kryeqytetit të Kanadasë nga qindra kamionistë të zemëruar për kufizimet lidhur me Covid 19.

Ndërkohë që disa protestues u dorëzuan, shumë prej tyre mbetën sfidues gjatë aksionit të policisë. Policia bëri lëvizjen e parë për t’i dhënë fund bllokadës të enjten vonë me arrestimin e dy drejtuesve kryesorë të protestës. Ata gjithashtu mbyllën pjesën më të madhe të zonës së qendrës së qytetit për të huajt për t’i penguar ata të vijnë në ndihmë të protestuesve të vetëquajtur ‘Konvoji i Lirisë’. Kryeqyteti përfaqësonte bastionin e fundit të lëvizjes pas tre javësh demonstratash dhe bllokadash që mbyllën pikat kufitare me SHBA-në, shkaktuan dëme ekonomike për të dy vendet dhe krijuan një krizë politike për kryeministrin, Justin Trudeau. Demonstratat në të gjithë vendin nga protestuesit në kamionë dhe traktorë fillimisht u përqendruan kundër kërkesës së Kanadasë për vaksinim për kamionistët që hynin në vend, por shpejt u shndërruan në një sulm të gjerë ndaj masave paraprake për Covid 19 dhe qeverisë së Trudeau.