Hungaria shpall gjendjen e "rrezikut të luftës"
Frika e luftës ka përfshirë dhe Hungarinë, që shpalli “gjendjen e rrezikut” për shkak të agresionit rus në Ukrainën fqinje.
Kjo lëvizje i lejon Qeverisë së krahut të djathtë që të ndërmarrë masa të posaçme pa pasur nevojë që të marrë miratimin e Parlamentit. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha se lufta në Ukrainë paraqet “një kërcënim të vazhdueshëm për vendin e tij, e kjo “po vë në rrezik sigurinë tonë fizike dhe po kërcënon sigurinë energjetike dhe financiare të ekonomisë sonë dhe familjeve tona”. Për këtë arsye, ai njoftoi se “gjendja e rrezikut të luftës” do të hyjë në fuqi duke filluar nga e mërkura, që do t’i lejojë Qeverisë “të përgjigjet menjëherë dhe të mbrojë familjet hungareze dhe Hungarinë me çdo mjet të mundshëm”. Ky njoftim vjen pasi partia në pushtet e Orbanit të martën, miratoi një amendament kushtetues që lejon shpalljen e gjendjes së rrezikut kur në vendet fqinje ndodhin konflikte të armatosura, luftëra ose katastrofa humanitare.