Zyrtarët ukrainas kritikojnë Perëndimin
(last modified Fri, 27 May 2022 06:14:13 GMT )
May 27, 2022 08:14 Europe/Tirane
  • Zyrtarët ukrainas kritikojnë Perëndimin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se shteti dhe ushtria ruse janë fajtorë për vdekjen e njerëzve në sulmet e kryera ndaj vendit të tij, por për këtë përgjegjës janë edhe fuqitë perëndimore të cilat nuk arritën të marrin vendim për mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit.

“Faji është i pushtuesve që shkelin të gjitha rregullat e luftës dhe eliminojnë në mënyrë të qëllimshme njerëzit, por deri diku përgjegjës është edhe Perëndimi i cili ulet në zyrat e tij nuk ka mundur të marrë vendim për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Ukrainës”, tha Zelensky. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka hedhur poshtë sugjerimet që Kievi të hiqte dorë nga territori dhe të bënte lëshime për t’i dhënë fund luftës me Rusinë. Komentet nga Zelensky dhe një ndihmës i lartë vijnë pasi trupat ukrainase po përballen me një ofensivë të përtërirë në dy rajone lindore, të cilat separatistët rusisht-folës i morën në vitin 2014. Një editorial i New York Times tha më 19 maj se një paqe e negociuar mund të kërkojë që Kievi të marrë disa vendime të vështira, duke qenë se një fitore vendimtare ushtarake nuk ishte realiste. Dhe ish-sekretari amerikan i shtetit, Henry Kissinger, sugjeroi këtë javë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos që Ukraina duhet të lejojë Rusinë të mbajë Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014. “Çfarëdo që të bëjë shteti rus, gjithmonë do të gjeni dikë që të thotë ‘Le të marrim parasysh interesat e tij’”, tha Zelensky. Më herët, këshilltari i Zelenskyy, Oleksiy Arestovych tha se disa vende evropiane donin qartë që Ukraina t’i bënte lëshime Putinit. “Askush nuk do të tregtojë një gram të sovranitetit tonë apo një milimetër të territorit tonë”, ka thënë ai. “Fëmijët tanë po vdesin, ushtarët po goditen nga predha dhe ata na thonë të sakrifikojmë territorin. Nuk do të ndodhë kurrë”. Ukraina thotë se luftimet në rajonin lindor të Donbasit të vendit kanë arritur nivelin e tyre më të ashpër deri më tani. “Situata mbetet e vështirë dhe tregon shenja të acarimit të mëtejshëm. Armiku përdori të gjitha forcat dhe mjetet për të kapur territorin tonë dhe për të rrethuar trupat tona. Luftimet kanë arritur intensitetin maksimal deri më sot”, tha ushtria ukrainase. Forcat ruse deri më tani ka sulmuar 40 qytete në Donbas, ku të paktën katër persona kanë humbur jetën në Kharkiv. Qytetet e Severodonetsk dhe Lysychansk në Donbas, kanë qenë veçanërisht më të bombarduarit. Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Ukrainës tha se Rusia po përpiqet të “shantazhojë” botën me një ofertë për të zhbllokuar portet detare të Ukrainës nëse sanksionet kundër saj zvogëlohen, duke paralajmëruar se bllokada mund të nxisë një “krizë ushqimore shumëvjeçare”. Presidenti rus Vladimir Putin tha se Perëndimi do të dështojë në përpjekjet e tij për të izoluar Rusinë. Duke folur në Forumin Ekonomik Euroaziatik, ai i kritikoi ata për sekuestrimin e aseteve ruse, duke e përshkruar atë si “vjedhje”.

 

Tags