Rusia i pret gazin Holandës, nesër e ka radhën Danimarka
Koncerni holandez i furnizimeve me energji Gasterra njoftoi se kompania ruse Gazprom ka ndërprerë furnizimin me gaz natyror për këtë vend, e arsyeja sipas tij është fakti që Holanda refuzon ta kryejë pagesën në rubla.
Pas këtij refuzimi, Gazprom-i deklaroi se duke nisur nga sot, Holanda nuk do të furnizohet me gaz. Kompania shtetërore ruse Gazprom gjithashtu njoftoi ndërprerjen e eksporteve të gazit në Danimarkë duke filluar nga e mërkura. Gazprom thotë se Danimarka ka refuzuar të paguajë për gazin e importuar nga Rusia në rubla. Rreth një javë më parë Rusia ndërpreu furnizimet me gaz për Finlandën, ndërkohë që në prill bëri të njëjtën gjë për Poloninë dhe Bullgarinë, lëvizje këto që e kanë shtyrë Brukselin ta akuzojë Moskën për shantazh.