Marrëveshje për eksportin e grurit ukrainas
(last modified Thu, 14 Jul 2022 09:54:44 GMT )
Korrik 14, 2022 11:54 Europe/Tirane
  • Marrëveshje për eksportin e grurit ukrainas

Negociatat katërpalëshe midis Ukrainës, Kombeve të Bashkuara, Turqisë dhe Rusisë për të rifilluar eksportin e grurit ukrainas përmes Detit të Zi kanë përparuar.

Sipas Reuters, Ministri i Mbrojtjes i Turqisë të mërkurën në përfundim të këtyre negociatave në Stamboll njoftoi se Rusia, Ukraina, Turqia dhe zyrtarët e OKB-së arritën një marrëveshje në negociatat e tyre për rifillimin e eksporteve të grurit ukrainas në Detin e Zi.  Hulusi Akar shtoi: Javën e ardhshme palët do të takohen sërish për të nënshkruar këtë marrëveshje. Palët kanë rënë dakord për ekzaminimin e përbashkët të drithërave në porte. Delegacionet ushtarake ruse, ukrainase dhe turke u takuan me zyrtarë të OKB-së në Stamboll për të diskutuar rifillimin e eksporteve të grurit ukrainas nga porti i Odessa në Detin e Zi.  Igor Konashenkov, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, bëri të ditur se qeveria e këtij vendi ka paraqitur një paketë të plotë zgjidhjesh ekzistuese për të hequr pengesat për eksportin e drithit ukrainas përmes Detit të Zi. Kanali i lajmeve Haberturk i Turqisë ka thënë se Ankaraja është e gatshme të garantojë krijimin e korridoreve të sigurta për eksportin e drithërave ukrainase nga portet e Detit të Zi.  Në të njëjtën kohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se marrëveshja për eksportin e drithërave është në dobi të mbarë botës dhe një hap i rëndësishëm drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Rusisë dhe Ukrainës. Ai shtoi: "Të gjitha palët kanë treguar dëshirën e tyre për të arritur një marrëveshje përfundimtare për eksportin e grurit ukrainas." Marrëveshja e grurit është e rëndësishme, por ka ende shumë për të bërë, përpara se të arrihet një marrëveshje paqeje Rusi-Ukrainë. Për të reduktuar krizën e mungesës së ushqimit në shumicën e vendeve të botës, Kombet e Bashkuara kishin bërë thirrje më parë për një zgjidhje të krizës së eksporteve të drithërave të Ukrainës nga Deti i Zi. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë fajësuar Rusinë, duke pretenduar se Moska po bllokon qëllimisht dërgesat e grurit me shpresën për të rritur më tej çmimet dhe për të kufizuar tregun. Zyrtarët rusë i kanë hedhur poshtë këto akuza dhe thonë se Perëndimi dhe Ukraina duke vendosur mina në Detin e Zi e kanë bërë këtë rrugë të pasigurt për eksportet e drithërave. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar më parë se miliona njerëz në botë do të përballen me rrezikun e urisë nëse portet e Ukrainës, të cilat janë mbyllur për shkak të luftës, nuk rihapen. Në fillim të vitit 2022, rreth 276 milionë njerëz po përballeshin me urinë akute në mbarë botën, por pritet që nëse konflikti në Ukrainë vazhdon, këtyre njerëzve do t'i shtohen 47 milionë njerëz, veçanërisht në vendet e Afrikës. Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë më parë se Moska do të garantonte kalimin e papenguar të anijeve që transportonin grurë ukrainas nëse Kievi çminonte portet e tij dhe siguronte eksportin e mallrave përmes porteve të kontrolluara nga Rusia si Berdyansk dhe Mariupol. Autoritetet turke kanë premtuar të garantojnë sigurinë e dërgesave të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.

 


 

Tags