Forcat amerikane stërvitje të përbashkët me forcat rumune
https://parstoday.ir/sq/news/world-i130424-forcat_amerikane_stërvitje_të_përbashkët_me_forcat_rumune
Forcat amerikane dhe rumune kryen stërvitje të përbashkëta në afërsi të Detit të Zi.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Korrik 31, 2022 20:16 Europe/Tirane
  • Forcat amerikane stërvitje të përbashkët me forcat rumune

Forcat amerikane dhe rumune kryen stërvitje të përbashkëta në afërsi të Detit të Zi.

Sipas zyrtarëve të Komandës Ajrore të NATO-s, kjo forcon kapacitetet për të reaguar në rast të një agresioni të mundshëm nga Rusia, pas tensioneve të rritura si pasojë e agresionit rus në Ukrainë. Forcat amerikane të dislokuara rishtazi në kufirin lindor të NATO-s zhvilluan të shtunën stërvitje të përbashkëta me njësitë rumune në një bazë ajrore pranë Detit të Zi. Vetëm dy ditë më parë, Komanda Ajrore e NATO-s drejtoi një operacion dinamik me rreze të gjerë mbi qiejt e Rumanisë, ku u përdorën avionë rumunë F-16, avionë francezë Rafale dhe avionë gjermanë Tornado, të cilëve iu bashkuan avionët e grupit luftarak të aeroplanmbajtëses “USS Harry S. Truman” të marinës amerikane që është dislokuar në Detin Adriatik. Njësitë e Divizionit 101 Parashutist të ushtrisë amerikane morën pjesë në stërvitje luftarake, së bashku me formacione helikopterësh dhe avionësh luftarakë në bazën ajrore rumune “Mihail Kogalniceanu”, pranë qytetit bregdetar Konstanta. Njësitë e Divizionit 101 mbërritën në Rumani në fund të qershorit, pjesë e një misioni që synon të rrisë praninë ushtarake të NATO-s në këtë rajon, për të siguruar aleatët dhe për të shkurajuar një agresion të mëtejshëm nga Rusia, thuhet në faqen në internet të Ushtrisë Amerikane në Evropë. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s kanë shtuar forcat e dislokuara në vendet e krahut lindor të NATO-s, si reagim ndaj rritjes së forcave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës dhe sulmit që filloi në muajin shkurt.