Thatësira godet rëndë Evropën
https://parstoday.ir/sq/news/world-i130970-thatësira_godet_rëndë_evropën
Thatësira e verës dhe temperaturat e larta po godasin me forcë çdo sektor në Evropë, nga bujqësia deri tek industria e transportit të mallrave.
(last modified 2025-11-16T09:23:51+00:00 )
Gusht 14, 2022 20:49 Europe/Tirane
  • Thatësira godet rëndë Evropën

Thatësira e verës dhe temperaturat e larta po godasin me forcë çdo sektor në Evropë, nga bujqësia deri tek industria e transportit të mallrave.

Kompanitë e transportit lumor dhe ato të logjistikës në Gjermani do të ndërpresin për arsye sigurie shumicën e udhëtimeve të anijeve të transportit në lumin Rin. Kjo ndërprerje bëhet për shkak të rënies së nivelit të ujit. Javët e fundit është duke rënë drejt niveleve kritike edhe sasia e ujit në lumin Danub në Hungari, ndërkohë që pjesë të liqenit Velence, në jugperëndim të Budapestit, këtë javë u thanë tërësisht. Edhe Britania e Madhe po përjeton motin më të thatë prej më shumë se një shekull. Shërbimi kombëtar i motit e shpalli korrikun si muajin më të thatë për Anglinë që nga viti 1935, me reshje mesatare prej 23.1 milimetra. Prej thatësirës edhe lumi Thames po përjeton një mungesë të paparë uji. Kurse në rajonin jugperëndimor të Burgundisë, në Francë, lumi Tille në fshatin Lux u tha plotësisht. Në shtratin e lumit dolën në pah mijëra peshq të ngordhur. Për shkak të thatësirës Franca është detyruar të vendosë kufizime të ndryshme për përdorimit të ujit në mbarë vendin. Moti i thatë i kombinuar me inflacionin dhe konfliktin në Ukrainë po e përkeqësojnë edhe gjendjen e fermerëve në Evropë.