Rritet pasiguria energjetike në Evropë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i131176-rritet_pasiguria_energjetike_në_evropë
Rusia do të ndalojë furnizimet me gaz natyror në Evropë për tre ditë në fund të muajit gusht përmes tubacionit të saj kryesor në rajon Nord Stream 1.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Gusht 20, 2022 20:49 Europe/Tirane
  • Rritet pasiguria energjetike në Evropë

Rusia do të ndalojë furnizimet me gaz natyror në Evropë për tre ditë në fund të muajit gusht përmes tubacionit të saj kryesor në rajon Nord Stream 1.

Lajmi u bë i ditur nga gjiganti shtetëror energjetik rus Gazprom, dhe rrit më tej presionin mbi shtetet evropiane të cilat kërkojnë të plotësojnë rezervat përpara dimrit. Mirëmbajtja e paplanifikuar e gazsjellësit Nord Stream 1, i cili kalon nën Detin Baltik për në Gjermani, thellon krizën energjetike midis Moskës dhe Brukselit, që tashmë ka shkaktuar rritjen e inflacionit në rajon dhe ka rritur rrezikun e racionimit dhe recesionit. Gazprom tha se mbyllja ishte për shkak se i vetmi kompresor i mbetur i tubacionit kërkon mirëmbajtje. Edhe flukset e gazit që kalojnë përmes rrugëve të tjera të tubacioneve kanë rënë që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt. Masa ruse do të sjellë përçarje të mëtejshme veçanërisht për Gjermaninë, e cila varet kryesisht nga dërgesat e Rusisë për të furnizuar industrinë e saj. Bashkimi Evropian ka akuzuar Rusinë për përdorimin e energjisë si armë. Moska e ka mohuar akuzën dhe ka fajësuar sanksionet për rënien e eksporteve. Më herët, politikanë të lartë gjermanë hodhën poshtë sugjerimet se mungesa e gazit mund të evitohet duke lejuar që gazsjellësi i pezulluar Nord Stream 2 të hyjë në shërbim, diçka që Kremlini e ka sugjeruar si zgjidhje.