Holanda pezullon pranimin e azilkërkuesve nga Turqia
(last modified Sun, 28 Aug 2022 18:07:24 GMT )
Gusht 28, 2022 20:07 Europe/Tirane
  • Holanda pezullon pranimin e azilkërkuesve nga Turqia

Holanda vendosi në mënyrë të njëanshme të pezullojë pranimin e azilkërkuesve nga Turqia, pavarësisht marrëveshjes mes Ankarasë dhe Bashkimit Evropian.

Sipas gazetës turke Daily Sabah, Ministria e Sigurisë dhe Drejtësisë e Holandës njoftoi se vendi nuk do të pranojë më azilkërkues të përfshirë në marrëveshjen BE-Turqi deri në fund të vitit 2023. Ministria e lartpërmendur theksoi se Holanda ka pritur një numër relativisht të madh sirianësh që nga viti 2016 për shkak të marrëveshjes së ripranimit të lidhur midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë. Marrëveshja, e nënshkruar në mars 2016, detyron Ankaranë të ripranojë të gjithë azilkërkuesit e paligjshëm që janë zhvendosur nga Turqia në ishujt grekë. Në vend të kësaj, Bashkimi Evropian ka rënë dakord të rivendosë në vendet evropiane refugjatët sirianë nga Turqia. Ministria holandeze e Sigurisë dhe Drejtësisë vuri në dukje se qeveria e Amsterdamit e konsideron ende të rëndësishme marrëveshjen dhe do të fillojë ta zbatojë përsëri në vitin 2024, por në situatën aktuale, kjo është e papërgjegjshme. Ndërsa situata e azilit në Holandë u shndërrua në një krizë kombëtare, kabineti i vendit vendosi të marrë masa për të ulur numrin e azilkërkuesve. Ndërsa qeveria holandeze u përpoq të zgjidhte problemin, Kryqi i Kuq holandez ngriti tenda në parqe për shkak të mungesës së shtretërve për azilkërkuesit. Edhe pse këto tenda u çmontuan, shumë refugjatë, duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, vazhduan të flinin nëpër parqe. Sipas këtij raporti, në mars 2016, Bashkimi Evropian dhe Turqia ranë dakord për të parandaluar migrimin e paligjshëm përmes detit Egje dhe për të përmirësuar kushtet e akomodimit të më shumë se 3 milionë refugjatëve sirianë në Turqi. Megjithatë, Ankaraja ka kritikuar Bashkimin Evropian për dështimin në përmbushjen e premtimeve të tij për të siguruar fonde për azilkërkuesit në Turqi si pjesë e marrëveshjes, ndërkohë që i ka dhënë miliarda euro Greqisë. Kanë kaluar gjashtë vjet që nga nënshkrimi i marrëveshjes dhe ajo po dështon, pasi Turqia po përballet me një numër në rritje të azilkërkuesve dhe BE-ja është më e ndarë se kurrë për politikën e azilit.

 

Tags