Situatë e nderë energjitike në Evropë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i131538-situatë_e_nderë_energjitike_në_evropë
Ndërsa ndërprerjet e furnizimeve me gazin rus, po e përkeqësojnë sigurinë energjetike evropiane, kontinenti po përpiqet të përballet me atë që ekspertët thonë se është një nga krizat e tij më të këqija energjetike të para ndonjëherë, dhe që mund të përkeqësohet akoma më shumë.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Gusht 31, 2022 20:22 Europe/Tirane
  • Situatë e nderë energjitike në Evropë

Ndërsa ndërprerjet e furnizimeve me gazin rus, po e përkeqësojnë sigurinë energjetike evropiane, kontinenti po përpiqet të përballet me atë që ekspertët thonë se është një nga krizat e tij më të këqija energjetike të para ndonjëherë, dhe që mund të përkeqësohet akoma më shumë.

Për muaj të tërë, udhëheqësit evropianë kanë qenë shumë të shqetësuar nga perspektiva e humbjes së furnizimeve me gazin rus, që përbën rreth 40 për qind të importeve evropiane, dhe ka qenë jetik për kontinentin. Ky makth po bëhet tani një realitet i dhimbshëm, pasi Moska po redukton dërgesat e saj, në shenjë hakmarrjeje për mbështetjen që Evropa i jep Ukrainës. Shumë zyrtarë dhe ekspertë të energjisë, shqetësohen se kriza vetëm sa do të thellohet, pasi “Nord Stream 1”, gazsjellësi më i madh i gazit nga Rusia në Evropë, ka ndalur punën që të hënën për shkak të punimeve të mirëmbajtjes. Edhe pse procedura parashikohet të zgjasë vetëm 10 ditë, historia e shantazhit dhe përdorimit të energjisë si armë nga ana e Kremlinit, ka ngjallur frikën se Moska nuk do ta rikthejë atë në punë, duke lënë në baltë vendet evropiane, që mbeten ende shumë të varura nga gazi rus. “Kjo është kriza energjetike më ekstreme që ka ndodhur ndonjëherë në Evropë. Çmimet kanë arritur kulmin, dhe nga kjo situatë nuk ka një rrugëdalje të menjëhershme”- thotë Aleks Manton, ekspert për tregjet globale të gazit në “Rapidan Energy Group”. “Çdo gjë është e mundur. Mund të ndodhë që dërgesat të rifillojnë, ndoshta më shumë se më parë. Por mund të ndodhë që të mos vijë më asgjë”– deklaroi Ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habek për Deutschlandfunk. Kjo do të shkaktonte jo pak telashe për dimrin e ardhshëm, kur rritet kërkesa për energji, dhe kur gazi është i domosdoshëm për ngrohjen. Nëse vazhdojnë ndërprerjet e zgjatura të Rusisë, ekspertët paralajmërojnë një dimër të vështirë:mbyllje të shumë industrive, dhe madje edhe zhvendosje të mëdha të tyre. Zyrtarët britanikë, që vetëm pak muaj më parë paralajmëruan rritjen e faturave të energjisë për konsumatorët, tani po paralajmërojnë një situatë edhe më të rëndë. “Evropa mund të përballet me një dimër të trazuar, me racionime, mbyllje të industrive të mëdha”- thotë Helima Kroft, drejtoreshë në “RBC Capital Markets”. Në fakt, trazirat kanë filluar tashmë, me grevat që kanë shpërthyer në të gjithë kontinentin, teksa familjet po përballen me presionet e kostove të rritura të jetesës dhe inflacionit. Vendet evropiane rrezikojnë të zhyten në “konflikte shumë të forta, pasi nuk ka energji”, deklaroi për britaniken “The Guardian”, Frans Timermans, nën/president i Komisionit Evropian . Javën e kaluar, qeveria gjermane mori masa për të shpëtuar nga falimentimi gjigantët e saj të energjisë, që janë më të goditurit nga veprimet e Rusisë. Por nuk është vetëm Gjermania. “Kjo gjë po ndodh në të gjithë Evropën”– thotë Olga Khakova, eksperte për sigurinë energjetike evropiane në Këshillin Atlantik. Liderët evropianë do të vazhdojnë të përpiqen të sigurojnë furnizime të mjaftueshme, dhe mund të shpresojnë vetëm për një mot të butë në dimër. Skenari më i keq, është ai kur njerëzit duhet të zgjedhin midis të ngrënit dhe ngrohjes në dimër.