Rusia ndal furnizmin me gaz të Evropës
Flukset e gazit rus përmes tubacionit Nord Stream 1 për në Gjermani do të mbeten të pezulluara përtej të shtunës, deri në një afat kohor të pacaktuar, pasi Gazprom tha se ka zbuluar një rrjedhje nafte në tubacion.
Njoftimi nga gjiganti rus, që kishte pezulluar punën që nga e mërkura për çështje mirëmbajtjeje, rrezikon ta çojë kontinentin evropian në një krizë energjetike këtë dimër. Gazprom duke publikuar një foto tha se rrjedhja u gjet në stacionin e kompresorit Portovaya dhe se deri në zgjidhjen e këtij problemi furnizimet do të mbeten të pezulluara. Që nga qershori, Gazprom filloi të shkurtojë furnizimet e gazit natyror në tubacion. Pas njoftimit të Gazpromit, një zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë së Gjermanisë tha se Gjermania është më e përgatitur për ndalimin e gazit rus. “Ne nuk kemi asnjë koment të veçantë për njoftimin e Gazpromit, por ne kemi parë mungesën e besueshmërisë së Rusisë në javët e kaluara dhe kështu kemi vazhduar të marrim masa për të forcuar pavarësinë tonë”, tha zëdhënësi. Zyrtarët gjermanë vazhdimisht kanë thënë se reduktimi i furnizimeve është një përpjekje e Moskës për të ndëshkuar Berlinin për qëndrimin e tij ndaj luftës në Ukrainë . Tubacioni Nord Stream 1 është një arterie kyçe që bart furnizimet e mëdha të gazit të Rusisë në Evropë. Lajmi për mbylljen e tij vjen në të njëjtën ditë kur vendet e grupit G7 ranë dakord të vendosin një çmim tavan për naftën ruse në një përpjekje për të kufizuar aftësinë e Moskës për të financuar luftën në Ukrainë.