Paralajmërimi i Medvedev: Mos provoni ta shtyni Rusinë në kolaps
Një zyrtar i lartë rus akuzoi të shtunën Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj se po përpiqen të shpërbëjnë Rusinë dhe paralajmëroi se përpjekje të tilla mund të çojnë në apokalips.
Dmitry Medvedev, zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurimit rus të kryesuar nga presidenti Vladimir Putin, paralajmëroi Perëndimin se një përpjekje për ta shtyrë Rusinë në kolaps do të përbënte një "lojë shahu me vdekjen". Medvedev vuri në dukje se disa në Perëndim dëshironin të "përfitonin nga konflikti ushtarak në Ukrainë për ta shtyrë Rusinë drejt shpërbërjes, për të gjymtuar institucionet shtetërore ruse dhe për ta përballur vendin me kolaps, siç ndodhi në vitin 1991”. “Këto janë ëndrrat e pista të perversëve anglo-saksonë, të cilët bien në gjumë me një mendim të fshehtë për copëtimin e shtetit tonë, duke menduar se si të na bëjnë copë-copë,” theksoi Medvedev në një postim. “Përpjekje të tilla janë shumë të rrezikshme dhe nuk duhen nënvlerësuar. Këta ëndërrimtarë shpërfillin një aksiomë të thjeshtë: shpërbërja e detyruar e një fuqie bërthamore është gjithmonë një lojë shahu me vdekjen, e cila mund të çojë në fundin e njerëzimit", tha Medvedev duke shtuar: "Arsenalet bërthamore të Rusisë janë mbrojtja më e mirë e saj".