Plani gjerman irriton Francën dhe Italinë
Vëmendja e kancelarit Olaf Scholz, e fokusuar tek prioritetet e Gjermanisë e jo tek BE-ja në mesin e krizës energjetike, po acaron kryetaren e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, si dhe komisionerë shumë të rëndësishëm francezë dhe italianë, të cilët kanë nisur të ankohen për sjelljen e Berlinit.
Duke u përballur me një presion të madh nga industria dhe konsumatorët Scholz vendosi të marrë një qasje të njëanshme e të injektojë 200 miliardë euro në ekonominë gjermane me qëllimin zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimeve të energjisë. Ky fluks parash shkaktoi thirrje proteste nga komisioneri Italian Paolo Gentiloni dhe nga ai francez, Thierry Breton, që përfaqësojnë gjithashtu dy nga ekonomitë më të mëdha të bllokut europian. Ankesa franko-italiane kundër Gjermanisë është se Berlini do të shtrembërojë tregun e përbashkët të unionit, duke i vendosur kompanitë gjermane të financuara nga shteti në një avantazh të padrejtë ndaj rivalëve te tyre, dhe kjo pikërisht në një kohë kur kritikët argumentojnë se Gjermania ishte një nga shkaktaret kryesore të krizës për shkak të varësisë së krijuar nga eksporti i gazit rus. Vetë ministri gjerman i Ekonomisë nga ana tjetër, u ankua për çmimet jashtëzakonisht të larta të kërkuara nga vendet “mike” të Gjermanisë, kryesisht Shtetet e Bashkuara, për dërgesat e gazit të tyre në vend të furnizimit me gazin rus. “Disa vende, madje edhe ato të afërta me ne po kërkojnë çmime astronomike,” tha Robert Habeck për Neue Osnabruecker Zeitung.