Holanda kërkoi falje për rolin e saj historik në skllavëri
Kryeministri holandez Mark Rutte ka kërkuar falje të hënën për rolin historik të Holandës në skllavërinë dhe në pasojat e saj.
Sipas Reuters, Rutte në një fjalim televiziv të hënën mbrëma tha: "Kërkoj falje sot. Qeveria holandeze dhe përfaqësuesit e saj kanë përhapur skllavërinë dhe kanë përfituar prej saj për disa shekuj".Ai shtoi: "Është e vërtetë që asnjë nga ata që ishin personalisht përgjegjës për skllavërinë nuk është gjallë sot, por qeveria holandeze është përgjegjëse ndaj atyre që u skllavëruan dhe ndaj pasardhësve të tyre. Ajo merr përgjegjësinë për vuajtjet e mëdha që u shkaktoi atyre". Përveç kësaj ndjese, Holanda po shqyrton masa të tjera, duke përfshirë përpjekjet për të kthyer veprat e vjedhura të artit dhe për të kompensuar pasojat e racizmit. Historianët vlerësojnë se tregtarët holandezë skllavëruan më shumë se gjysmë milioni afrikanë të cilët u dërguan në Amerikë, në Brazil dhe në rajonin e Karaibeve. I njëjti numër ose më shumë aziatikë u skllavëruan nga holandezët në Indonezi dhe pjesë të tjera të Azisë.