Thellohet kriza energjitike në Evropë
(last modified Sat, 07 Jan 2023 18:50:33 GMT )
Janar 07, 2023 19:50 Europe/Tirane
  • Thellohet kriza energjitike në Evropë

Më shumë se një e katërta e evropianëve po luftojnë për të ngrohur shtëpitë e tyre dhe për të paguar borxhet e shtëpive dhe faturat e shërbimeve, ndërsa kriza e energjisë në Evropë po thellohet, raportuan të premten mediat hungareze, duke cituar një sondazh nga grupi i ekspertëve hungarezë Szazadveg.

Sipas sondazhit, të quajtur Projekti i Evropës, 26% e banorëve të BE-së, ose rreth 100 milionë njerëz, nuk janë në gjendje të ngrohin siç duhet shtëpitë e tyre. Grekët duket se janë më të prekurit, ku 56% e popullsisë përballet me vështirësi në ngrohje. Në Portugali dhe Francë, 34% e banorëve shprehën të njëjtat probleme. Finlanda, Hungaria, Austria dhe Danimarka ishin më pak të prekura, me më pak se 15% të banorëve që pranuan se kanë vështirësi. Një në katër të anketuar thanë se në vitin e kaluar nuk kishin qenë në gjendje të paguanin faturën e ngrohjes të paktën një herë. Kjo shifër ishte më e lartë në Greqi, me 51% të popullsisë së prekur, e ndjekur nga Qiproja me 37%, Irlanda dhe Bullgaria, me 35% secila. Të anketuarit fajësuan inflacionin për problemet e tyre, pasi rritja e çmimeve për gjithçka, nga energjia te ushqimi, ndikon në aftësinë e tyre për të paguar faturat. Sipas sondazhit, faturat e ngrohjes janë bërë shumë më pak të përballueshme se në vitin 2021. Autorët e anketës vunë në dukje se në vitin 2021, bazuar në të dhënat nga agjencia zyrtare evropiane e statistikave Eurostat, vetëm 6,9% e familjeve evropiane (rreth 29.9 milionë njerëz) nuk mund të ngrohnin siç duhet shtëpitë e tyre dhe 6.4% kishin vështirësi në pagesën e faturave. Anketa u krye midis 13 tetorit dhe 7 dhjetorit 2022, midis 38,000 të rriturve evropianë të përzgjedhur rastësisht. Hulumtimi mbuloi BE-në, Britaninë, Norvegjinë, Zvicrën, Moldavinë, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë dhe Bosnje-Hercegovinën.