Hungaria bllokon ndihmën ushtarake të BE-së për Ukrainën
Hungaria ka bllokuar rreth 500 milionë euro të BE-së në mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Sipas radiostacionit polak RMF 24 vendet e BE-së po votonin mbi propozimet për të ndarë ndihmën nga Fondi Evropian i Paqes. Vendet në bllok thuhet se pritet të ushtrojnë presion mbi Hungarinë kur ministrat e jashtëm të BE të takohen të hënën. Në dhjetor, Budapesti bllokoi një paketë ndihme prej 18 miliardë eurosh për Ukrainën. Në një zhvillim tjetër, Ministri i ri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, mohoi të premten se Berlini po bllokon në mënyrë të njëanshme dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë, por tha se qeveria ishte e gatshme të lëvizte shpejt për këtë çështje nëse do të kishte konsensus midis aleatëve. Duke folur me gazetarët, në një takim të liderëve të NATO-s dhe të mbrojtjes, në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, Pistorius tha se ka arsye pro dhe kundër për dërgimin e tankeve Leopard në Ukrainë. “Ka arsye të mira për dërgimin e tyre dhe ka arsye të mira kundër dërgimit të tyre, dhe duke pasur parasysh të gjithë situatën e një lufte që po vazhdon për gati një vit, të gjitha argumentet pro dhe kundër duhet të peshohen me shumë kujdes”, tha ai pa dhënë më shumë detaje për arsyet. Berlini ka thënë këtë javë se vendimi për tanket Leopard është kushtëzuar me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar tanket Abrams, diçka që Uashingtoni nuk planifikon ta bëjë.