Përmbyset anija me emigrantë, humbin jetën 59 persona
(last modified Sun, 26 Feb 2023 17:50:02 GMT )
Shkurt 26, 2023 18:50 Europe/Tirane
  • Përmbyset anija me emigrantë, humbin jetën 59 persona

Në një tragjedi në brigjet e Kalabrisë 59 persona kanë humbur jetën, mes tyre 12 të mitur dhe 33 gra.

Një foshnjë disa muajshe është mes personave që humbën jetën, pasi anija që mbante rreth 150 persona të bord u fundos në det,  pranë qytetit bregdetar të Crotone në rajonin e Kalabrisë. Sipas rojes bregdetare, 80 persona janë nxjerrë të gjallë. Disa prej tyre arritën të dilnin vetë në breg duke notuar. Dhjetëra të mbijetuar janë dërguar në spital, ndërsa të tjerët shihen teksa qëndrojnë të mbuluar me batanije në breg, nën kujdesin e punonjësve të Kryqit të Kuq. Mijëra njerëz largohet çdo vit nga Afrika, për shkak të konfliktit atje dhe varfërisë. Mjeti lundrues raportohet se ishte nisur nga qyteti bregdetar turk i Izmirit tre ose katër ditë më parë. Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për progres në reformën e bllokuar të Bashkimit Evropian për azil, pas raportimeve për vdekjen e 59 migrantëve në Itali. Von der Leyen tha se vdekjet e raportuara të dielën janë tragjedi që e kanë lënë atë “thellësisht të pikëlluar”. “Ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për Paktin e Migrimit dhe Azilit, dhe planin e veprimit për qendrën e Mesdheut”, tha ajo. Edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka shprehur keqardhjen për përmbytjen e varkës, dhe premtoi se do t’i japë fund situatës me emigrantët, për të parandaluar më shumë tragjedi.

 

Tags