Finlanda do t’i japë Ukrainës aeroplanë luftarakë
Mediat në Finlandë kanë raportuar se kryeministrja Sanna Marin është e gatshme të diskutojë sigurimin e aeroplanëve luftarakë për Ukrainën.
Marin, e cila vizitoi Kievin më 10 mars, tha se Helsinki planifikon të blejë 64 aeroplanë modernë F-35A për t’i zëvendësuar 62 aeroplanë Hornet – të cilët, sipas saj, mund t’i jepen Ukrainës, por tha se diskutimet janë në një fazë fillestare. Për muaj të tërë, Ukraina ka kërkuar aeroplanë modernë luftarakë nga aleatët e saj. Gjatë bisedimeve në Paris më 8 shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje në mënyrë specifike liderëve perëndimorë që të siguronin aeroplanë luftarakë. “Unë ju bëj thirrje juve dhe botës, me fjalët e thjeshta por të rëndësishme – aeroplanë luftarakë për Ukrainën, krahë për lirinë”, tha ai. Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania u shprehëm kundër kësaj kërkese. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Gjermania nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë. Gjithashtu, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se SHBA-ja nuk do të dërgojnë aeroplanë luftarakë F-16 në Ukrainë. Ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Franca nuk e përjashton dërgimin e tyre nëse plotësohen disa kushte.