Amerikanët: Mos përdorni paratë tona për të shpëtuar bankat
(last modified Thu, 16 Mar 2023 18:45:32 GMT )
Mars 16, 2023 19:45 Europe/Tirane
  • Amerikanët: Mos përdorni paratë tona për të shpëtuar bankat

Një sondazh i fundit tregoi se amerikanët nuk janë dakord që të mbajnë barrën e keqmenaxhimit që çon drejt kolapsit të një banke.

Rezultatet e anketimit të kryer nga Reuters/ Ipsos u interpretuan si sinjal i faktit se administrata e presidentit demokrat Joe Biden mund të përballet me një problem politik, nëse luhatjet në sektorin bankar të SHBA-së përkeqësohen dhe nxisin veprime më agresive të administratës. 84% e të intervistuarve, përfshirë një shumicë të konsiderueshme të republikanëve dhe demokratëve, u shprehën qartë se taksapaguesit nuk kanë përse të paguajnë për zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga menaxhimi i papërgjegjshëm i bankave. Tregjet e aksioneve janë tronditur në mbarë botën që kur Banka Silicon Valley falimentoi të premten pasi klientët e shqetësuar tërhoqën masivisht depozitat e tyre. Dy ditë më pas, u shemb edhe Banka Signature e Nju Jorkut. Nuk vonoi shumë, e stoqet në bursë ranë ndjeshëm pasi edhe luhatjet në gjigantin bankar zviceran Credit Suisse ringjallën frikën për një krizë të re bankare.

 

Tags