Franca nuk gjen qetësi nga protestat
Franca nuk po gjen qetësi nga protestat. Në të gjitha qytetet franceze është protestuar kundër projekt-ligjit që synon të rrisë moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç.
Në Paris rrugët janë të mbushura me plehra. Për këtë projektligj gjithçka do të vendoset të hënën në Asamblenë Kombëtare, ku do të votohet një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, i kërkuar nga opozita. Sipas analistëve kalimi i një mocioni mosbesimi do të jetë sfidues, ndërsa aleanca qeverisëse e Macron e ka ende shumicën e vendeve në Asamblenë Kombëtare. Nëse qeveria nuk rrëzohet atëherë projektligji kthehet në ligj. Megjithatë nëse mocioni kalon do të ishte një goditje e madhe për presidentin Macron: projektligji i pensioneve do të rrëzohej dhe kabineti i tij do të duhej të jepte dorëheqjen. Në Paris rrugët janë të mbushura me plehra, ndërsa era e keqe ka shqetësuar banorët. Sindikata e punonjësve që merren me grumbullimin dhe përpunimin e plehrave ka vendosur të vijojë grevën në shenjë proteste kundër planit të presidentit francez Emmanuel Macron për të rritur moshën e daljes në pension nga 62, në 64 vjeç. Çdo ditë këta punonjës grumbullojnë rreth 1000 ton mbeturina në Paris. Edhe pse banorët janë mërzitur nga mos grumbullimi i plehrave, ata kanë treguar mbështetje për protestat. Një aleancë e gjerë e sindikatave kryesore të Francës ka thënë se do të vijojë të mobilizohet në përpjekje për të detyruar qeverinë të heqë dorë nga ndryshimet në ligjin e pensioneve.