Shefi i NATO-s: Kina po i ndihmon ekonomisë ruse
(last modified Wed, 05 Apr 2023 18:47:12 GMT )
Prill 05, 2023 20:47 Europe/Tirane
  • Shefi i NATO-s: Kina po i ndihmon ekonomisë ruse

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se Kina është duke i ndihmuar ekonomisë së Rusisë, teksa kjo e fundit përballet me sanksionet e Perëndimit për luftën në Ukrainë.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë mbajtur takime në Bruksel me partnerët e Azi-Paqësorit: Japoninë, Korenë Jugore, Australinë dhe Zelandën e Re, për sfidat në rritje, që kanë burim Kinën. “Kina refuzon të dënojë agresionin e Rusisë. I bën jehonë propagandës ruse. Dhe kjo është mbështetje për ekonominë e Rusisë”, ka thënë Stoltenberg. “Në kohën kur Pekini dhe Moska janë duke vepruar në kundërshtim me rregullin ndërkombëtar, është edhe më e rëndësishme të qëndrojmë të bashkuar”. Thirrja për një qëndrim të unifikuar është bërë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, ka arritur në Pekin për të biseduar me liderin kinez, Xi Jinping. Macron ka thënë në kryeqytetin kinez se, secili që i ka ndihmuar Rusisë “agresore” në luftën e saj në Ukrainë, do të shihet si “bashkëpunëtore”. Mirëpo, ai, po ashtu, ka thënë se Pekini mund të luajë “rol të madh” në gjetjen e një rruge për paqe në Ukrainë, dhe ka insistuar se Evropa nuk duhet “të shkëputet” nga Kina. Stoltenberg ka ritheksuar paralajmërimet e Perëndimit ndaj Kinës që të mos dërgojë armë në Moskë. Ai ka thënë se NATO-ja, deri më tani, “nuk ka arritur të konfirmojë” që Pekini po dërgon armë në Rusi.

 

Tags