Franca dënohet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut të enjten dënoi dhe urdhëroi Francën të paguajë një gjobë për "trajtimin çnjerëzor" të një fëmije emigrant ndërsa ai ishte në paraburgim.
Ky dënim u bë pasi një nënë nga Guineja paraqiti një ankesë kundër qeverisë franceze për shkak të sjelljes së keqe gjatë kohës që ishte në paraburgim dhe priste të dëbohej nga Franca. Kjo nënë nga Guineja dhe foshnja e saj shtatë muajshe u ndaluan për 9 ditë në vitin 2021, kur autoritetet lokale të provincës Bas-Rhin vendosën t'i deportonin në Spanjë. Duke iu referuar moshës, kushteve dhe kohëzgjatjes së ndalimit të foshnjës, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në një vendim njoftoi se fëmija dhe nëna i janë nënshtruar “trajtimit çnjerëzor”. Kjo gjykatë e gjobiti Francën t’i paguajë paditësit shumën prej 19,000 eurosh. Franca prej kohësh ka pasur një trajtim të ashpër dhe çnjerëzor ndaj emigrantëve të paligjshëm dhe azilkërkuesve dhe ky vendim është një nga rastet e pakta në të cilat qeveria e Parisit dënohet për qasjen e saj çnjerëzore. Vendet evropiane, veçanërisht Franca, kanë një histori negative ndaj azilkërkuesve pasi ata janë përballur gjithmonë me trajtime të ftohta dhe madje të dhunshme në Evropë. Në këtë drejtim, qeveria franceze, e cila ka pasur gjithmonë një qëndrim të ftohtë ndaj azilkërkuesve, pavarësisht se është e vetëdijshme për tendencën në rritje të pranisë së azilkërkuesve në brigjet veriore, veçanërisht rreth Calais, për të udhëtuar me varkë drejt Britanisë, u jep dritën jeshile azilkërkuesve për të bërë këtë udhëtim të rrezikshëm. Qëllimi i Parisit është të heqë qafe të ashtuquajturit emigrantë të paligjshëm dhe azilkërkues në çdo mënyrë të mundshme. Ashtu si shumë qeveri evropiane, Franca përpiqet të pengojë hyrjen e tyre dhe në hapin tjetër të kthejë azilkërkuesit. Aktualisht një numër i madh azilkërkuesish po enden në kushtet më të këqija në vendet evropiane, përfshirë edhe Francën. Në fakt, një nga rastet më të rëndësishme të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Francë është mënyra se si qeveria e Parisit i trajton azilkërkuesit. Në këtë drejtim, të rriturit dhe fëmijët që jetonin në kampe të paligjshme në Francë gjatë vitit 2021 u përballën me veprime të përsëritura si evakuimi në grup, ngacmime të policisë dhe kufizimeve në aksesin në ndihma humanitare. Gjithashtu, Komisioni Kombëtar Këshillimor Francez për të Drejtat e Njeriut ka dënuar kushtet e jetesës dhe shkeljen e të drejtave të emigrantëve të paligjshëm që ndodhen në veri të Francës. Kjo është ndërkohë që kalimi i paligjshëm i varkave përmes Kanalit Anglez në vitin 2021 është dyfishuar në krahasim me vitin 2020 dhe qeveria franceze ka kritikuar planin britanik për kthimin e varkave në këtë vend. Në një aksion të paligjshëm, policia kufitare franceze ka deportuar emigrantë, mes të cilëve edhe fëmijë jetimë. Situata e të drejtave të njeriut në këtë vend, i cili e konsideron veten si një nga pretenduesit e lirisë dhe demokracisë, është e tillë që Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimin për sjelljen e Francës ndaj azilkërkuesve. Azilkërkuesit në Francë, përveç dhunës nga policia, sulmohen dhe ngacmohen gjithmonë nga grupet ekstremiste dhe raciste dhe institucionet rregullatore nuk marrin masat e duhura në këtë drejtim. Kjo çështje ka shkaktuar protesta të shumta jo vetëm jashtë Francës por edhe brenda këtij vendi. Në këtë drejtim, mijëra njerëz, përfshirë shumë emigrantë të paligjshëm, marshuan në Paris dhe qytete të tjera franceze dhe protestuan kundër ndryshimeve të planifikuara në projektligjin e ri të emigracionit të qeverisë së presidentit francez Emmanuel Macron. Ky projektligj i diskutueshëm nën titullin "kontrolli i emigracionit me qëllim përmirësimin e integrimit" (integrimi i emigrantëve në shoqërinë franceze) synon të ofrojë më shumë baza për dëbim, veçanërisht për emigrantët që kryejnë krime.