Mijëra protestojnë kundër qeverisë çeke
Dhjetëra mijëra njerëz marshuan sot kundër qeverisë çeke në kryeqytetin Pragë duke akuzuar qeverinë se kujdeset më shumë për luftën në Ukrainë, sesa për krizën e jetesës së qytetarëve të saj.
Një parti e re jo-parlamentare e quajtur PRO organizoi protestën dhe tha se numri pjesëmarrësve arrinte në 101,662, ndërsa agjencia shtetërore e lajmeve CTK tha se demonstruesit ishin rreth 10,000. Me flamuj kombëtarë dhe brohoritje kundër qeverisë së kryeministrit Petr Fiala protestuesit dënonin gjithashtu politikat e BE që kanë shkaktuar rënien ekonomike. Ekonomia çeke është në stagnacion (0 rritje) sipas ekspertëve dhe inflacioni mbetet i lartë edhe pse është zvogëluar disi nga kulmi 18 përqind që arriti në shtator 2022. Policia e Pragës tha se kishte ndaluar një burrë të veshur me logon e grupit mercenar rus Wagner në mesin e protestuesve. Protestuesi Pavel Husek tha se qeveria “duhet të ndalojë mbështetjen për luftën në Ukrainë dhe të ndihmojë qytetarët e saj që kanë nevojë”. Koalicioni qeveritar i Fiala me pesë parti ka dhënë ndihma të konsiderueshme ushtarake dhe humanitare për Ukrainën që prej nisjes së konfliktit në shkurt 2022.