Rusia: Pashinyan u mashtrua nga premtimet e Perëndimit
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme ruse fajësoi kryeministrin armen për ngjarjet e fundit në këtë vend dhe njoftoi se kryeministri armen ishte mashtruar nga Perëndimi.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Ministria e Jashtme ruse lëshoi një deklaratë duke paralajmëruar Nikol Pashinyanin se ai bëri një gabim të madh duke u përpjekur të prishë marrëdhëniet me Moskën. Ministria njoftoi se Pashinyan është fajtor për krizën e Nagorno-Karabak sepse ai u mashtrua nga premtimet e Perëndimit. Pas sulmit të fundit nga forcat e armatosura të Republikës së Azerbajxhanit në Nagorno-Karabak, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë u kërkoi palëve në konflikt që të pushojnë zjarrin sa më shpejt dhe të vazhdojnë negociatat. Njësia ushtarake ruse deklaroi se paqeruajtësit rusë po organizojnë shërbime mjekësore për të plagosurit, si dhe evakuimin e popullatës civile të Karabakut nga zonat me rrezik të lartë. Ministria e Jashtme ruse u bëri thirrje palëve në konflikt që të ndalojnë gjakderdhjen dhe të pushojnë zjarrin sa më shpejt të jetë e mundur, të parandalojnë viktimat civile dhe të kthehen sa më shpejt në zbatimin e marrëveshjeve trepalëshe të nëntorit 2020 midis Jerevanit, Bakusë dhe Moskës. Në një pjesë të kësaj deklarate, thuhet se deklaratat e fundit të kryeministrit të Armenisë përmbajnë sulme të papranueshme ndaj Rusisë dhe kjo është përpjekje për të hequr nga vetja përgjegjësinë për dështimin në politikën e brendshme dhe të jashtme. Në një pjesë të kësaj deklarate thuhet se Rusia ka qenë gjithmonë besnike ndaj angazhimeve ndaj aleatit të saj dhe e ka respektuar Armeninë.