Armenët në protesta anti-qeveritare në Jerevan
Disa qindra armenë protestuan sot në qendër të kryeqytetit Jerevan kundër politikave të qeverisë që sollën largimin e armenëve etnikë nga Nagorno-Karabak dhe marrjen e kontrollit të rajonit nga Azerbajxhani.
Pas sulmeve të fundit ushtarake, forcat azere kanë mundur separatistët armenë në rajonin e kontestuar dhe kapitullimi ka shkaktuar një eksod masiv nga rajoni që dikur popullohej nga rreth120 000 armenë. Gjatë tre ditëve të fundit pas dorëzimit të armëve nga militantët, 100,417 banorë armenë janë larguar drejt Jerevanit. Sot vargu i refugjatëve nga Nagorno-Karabak ishte zvogëluar ndjeshëm teksa Armenia tha se thuajse e gjithë popullata e territorit të shkëputur armen ishte zhvendosur, për t’i lënë kontrollin Azerbajxhanit. Autoritetet armene thanë se 14 pacientë të sëmurë kishin vdekur gjatë zhvendosjes në rrugët malore të territorit. Armenia me një popullatë prej 2.8 milionë, përballet tashmë me sfidën e strehimit të fluksit të madh të të larguarve. Zyrtarët thanë se kanë siguruar deri tani akomodime të përkohshme për 35,000 njerëz. Armenia akuzon Azerbajxhanin për fushatë të spastrimit etnik në rajonin e Nagorno- Karabakut.