Parlamenti armen miraton ligjin për anëtarësim në Gjykatën Penale Ndërkombëtare
Të martën, parlamenti armen votoi pozitivisht për pranimin e vendit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare; Një veprim që ndoshta do të shoqërohet me zemërimin e Rusisë.
Përpara këtij votimi, zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov paralajmëroi Armeninë se çdo lëvizje e këtij vendi për t'iu bashkuar Gjykatës Ndërkombëtare Penale do të konsiderohet nga Moska si " veprim armiqësor". Ndjeshmëria e Moskës ndaj këtij veprimi vjen për faktin se ky organ ndërkombëtar ka lëshuar një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin për shkak të krimeve ruse në Ukrainë. Muajin e kaluar, Moska e quajti përpjekjen e Jerevanit për t'iu bashkuar Gjykatës Penale Ndërkombëtare si një "hap jomiqësor" dhe Ministria e Jashtme ruse për këtë thirri ambasadorin armen. Vendeve që kanë nënshkruar dhe ratifikuar Statutin e Romës që krijoi Gjykatën Penale Ndërkombëtare, u kërkohet të arrestojnë Putinin për krime lufte në Ukrainë. Autoritetet armene kanë argumentuar se ky veprim nuk ka të bëjë me Rusinë dhe është bërë për shkak të agresionit të Azerbajxhanit kundër këtij vendi. Marrëdhëniet e Armenisë me Rusinë muajt e fundit janë shoqëruar me tensione. Jerevani ka kritikuar Moskën për atë që e sheh si dështim për t'iu përmbajtur angazhimeve të saj ndaj Karabakut. Armenia beson se dështimi i Rusisë për të përmbushur angazhimet e saj, ka lejuar forcat e Republikës së Azerbajxhanit që të sulmojnë dhe të pushtojnë Nagorni-Karabakun. Nga ana tjetër, Kremlini ka akuzuar kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, se ka përshpejtuar rënien e Nagorni-Karabakut duke njohur sovranitetin e Azerbajxhanit mbi rajonin.