Janar 07, 2024 19:55 Europe/Tirane
  • Italia kërkon që BE të krijojë ushtrinë e vet

Krijimi i një ushtrie të përbashkët europiane që të ketë rol paqeruajtës dhe që të parandalojë konfliktet, ishte kërkesa e ministrit të Jashtëm italian Antonio Tajani për Bashkimin Europian.

Në një intervistë të dhënë për gazetën “La Stampa” ai theksoi se Europa më shumë se kurrë tashmë ka nevojë për mbrojtje ushtarake. 

“Në një botë me lojtarë të fuqishëm si Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Rusia, me kriza që variojnë nga Lindja e Mesme deri në Indo-Paqësorin, qytetarët italianë, gjermanë, francezë apo sllovenë mund të mbrohen vetëm nga diçka që tashmë ekziston, Bashkimi Evropian”, theksoi kryediplomati italian i cili shtoi më tej se kjo ide duhet të bëhet një fakt konkret sa më shpejt.

Edhe pse NATO ka shtuar përpjekjet për t’u zgjeruar akoma më shumë, në Europë pas nisjes së luftës në Ukrainë në axhendën politike të BE është ngritur çështja e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Po ashtu Italia krahas kësaj kërkese po konteston gjithashtu edhe strukturën e BE-së. Sipas zvëndëskryeministrit italian Tajani, unioni duhet të ketë një presidencë të vetme, dhe jo siç funksionon tani ku Këshilli Europian dhe Komisioni Europian  kanë president më vete.

 

Tags