Mars 25, 2024 19:48 Europe/Tirane
  • Putin fajëson Ukrainën për sulmin në Moskë

Vladimir Putin nuk ka dyshime se autorët e masakrës në sallën e koncerteve Crocus të Moskës, janë njerëz të rekrutuar nga shërbimet sekrete ukrainase.

Në Rusi, pista kryesore vazhdon të mbetet ajo e Ukrainës: Emigrantë të paguar nga shërbimet sekrete të Kievit  për të goditur Rusinë.

Ish-presidenti Dimitri Medvedev reagoi duke thënë: Do të hakmerremi për të gjithë. Dhe kushdo që të jetë i përfshirë, pavarësisht nga vendi i origjinës dhe statusi, tani e tutje do të jetë objektivi ynë ligjor dhe primar.

Prokuroria ruse ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave të cilët i akuzon për sulmin që mori gati 140 jetë njerëzish.

Një zyrtare e Ministrisë së Jashtme ruse i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara ta mendojnë sërish deklaratën se ISIS qëndron pas sulmit në koncertin e Moskës.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova shkroi: Një pyetje për Shtëpinë e Bardhë: A jeni të sigurt se është ISIS? A mund të mendoni përsëri për këtë?”

“Inxhinierët politikë amerikanë e kanë futur veten në një kurth me histori se sulmi terrorist në Sallën e qytetit Crocus u krye nga organizata terroriste ISIS,” tha ajo.

Gjatë natës së kaluar, Rusia ndërmori një sulm masiv ndaj Ukrainës me avionë bombardues e një flotë jo të vogël dronësh.

Dy shpërthime të fuqishme tronditën sot Kievin, duke nxitur autoritetet t`i bëjnë thirrje banorëve të vrapojnë nëpër vendstrehime.

Rusia i ka përshkallëzuar së fundi sulmet ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës në ditët e fundit dhe zyrtarët në Kiev raportuan se më shumë se 1 milion civilë kanë mbetur në errësirë.

 

Tags