Liderët botërorë shprehin ngushëllimet pas martirizimit të Presidentit Raisi
Udhëheqësit botërorë i kanë shprehur ngushëllimet qeverisë dhe kombit iranian për martirizimin e presidentit Ebrahim Raisi pas rrëzimit të helikopterit në veriperëndim të Iranit.
Presidenti rus Vladimir Putin e vlerësoi Raisin si një politikan të shquar dhe tha se vdekja e tij ishte një humbje e pazëvendësueshme.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se presidenti dhe kryediplomati iranian kanë qenë miq të vërtetë dhe të besueshëm të Moskës.
Më tej ai i përshkroi ata si "patriotë që mbrojtën me vendosmëri interesat e shtetit të tyre dhe dhanë jetën në shërbim vetëmohues ndaj Atdheut".
Presidenti i Kinës Xi Jinping i bëri homazhe Presidentit Raisi, duke thënë se vdekja tragjike e homologut të tij iranian është një humbje e madhe për popullin iranian.
Presidenti Xi Jinping theksoi se populli kinez ka humbur një mik të mirë.
Kryeministri indian Narendra Modi tha gjithashtu se ishte thellësisht i pikëlluar dhe i tronditur nga vdekja tragjike e presidentit iranian.
“Ngushëllimet e mia të përzemërta familjes së tij dhe popullit të Iranit”, shtoi ai. "India qëndron me Iranin në këtë kohë pikëllimi," tha Modi të hënën.
Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif shpalli një ditë zie si "një shenjë respekti për Presidentin Raisi dhe shokët e tij dhe në solidaritet me Iranin vëllazëror".
“Pakistani pati kënaqësinë të presë Presidentin Raisi dhe Ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian në një vizitë historike, më pak se një muaj më parë. Ata ishin miq të mirë të Pakistanit”, shkroi ai në rrjetin X.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e përshkroi Raisin si "homologun dhe vëllanë e tij".
“Unë e kujtoj zotin Raisi me respekt dhe mirënjohje, si një person që punoi për paqen e popullit iranian dhe të rajonit tonë gjatë mandatit të tij”, shtoi ai.
Ndërkohë, presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro tha se ishte i tronditur nga vdekja tragjike e presidentit Raisi.
Ai e përshkroi shefin ekzekutiv iranian si "një person shembullor, një lider të shquar botëror, një mbrojtës i sovranitetit të popullit të tij dhe një mik i pakushtëzuar i Venezuelës".
Kryeministri i Irakut, Mohammed Shia' al-Sudani, gjithashtu shprehu ngushëllimet më të thella për Liderin e Revolucionit Islamik Ajetollah Khamenei, së bashku me qeverinë dhe popullin iranian, për incidentin dhe uroi mëshirë hyjnore për dëshmorët.
Iraku shpalli një ditë zie kombëtare për martirizimin e presidentit iranian.
Presidenti i Rajonit të Kurdistanit të Irakut, Nechirvan Barzani tha: "Vdekja e Presidentit Raisi është një tragjedi e madhe dhe një humbje e thellë për Republikën Islamike të Iranit, popullin dhe miqtë e saj".
Grupi i rezistencës palestineze Hamas shprehu "ndjenja të përbashkëta dhimbjeje me popullin vëlla iranian dhe solidaritet të plotë me Republikën Islamike të Iranit në këtë incident tragjik".
Martirët, tha Hamas, "mbajtën qëndrime të nderuara në mbështetje të çështjes palestineze" dhe luftës legjitime të kombit palestinez kundër entitetit sionist".
Lëvizja e rezistencës Hezbollah e Libanit gjithashtu e përshkroi presidentin iranian si një vëlla të madh për lëvizjen e rezistencës libaneze dhe një mbështetës të vendosur të kauzës së saj, duke thënë se ai kishte mbrojtur grupet e rezistencës dhe luftëtarët e tyre.
Charles Michel, president i Këshillit Evropian, tha në një postim në rrjetet sociale se, "BE shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta për vdekjen e Presidentit Raisi dhe Ministrit të Jashtëm Amir-Abdollahian, si dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit të tyre. Mendimet tona shkojnë te familjet e tyre.”
Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan tha se vendi i tij qëndron në solidaritet me Iranin në këtë kohë të vështirë.
Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani i shprehu ngushëllimet e tij të sinqerta qeverisë dhe popullit të Republikës Islamike të Iranit për incidentin e dhimbshëm.
Në dy mesazhe të veçanta dërguar presidentit të përkohshëm të Iranit, Mohammad Mokhber, Mbreti i Arabisë Saudite Salman bin Abdulaziz Al Saud dhe Princi i Kurorës Mohammed bin Salman ofruan ngushëllime për vdekjen e Presidentit Raisi dhe shokëve të tij.
Presidenti sirian Bashar al-Assad tha se "përkushtimi i homologut të tij iranian në karrierën e tij e bëri atë një martir në krye të detyrës".
Presidenti i Egjiptit Abdel Fattah el-Sisi shprehu trishtim dhe pikëllim të madh për tragjedinë, duke shprehur "solidaritetin e Kajros me lidershipin dhe popullin e Iranit në këtë humbje të tmerrshme".
Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev tha se “populli iranian humbi një burrë shteti të shquar që gjatë gjithë jetës së tij i shërbeu vendit të tij me përkushtim dhe besnikëri”.