Rusia kërcënon seriozisht Perëndimin
(last modified Tue, 27 Aug 2024 18:08:29 GMT )
Gusht 27, 2024 20:08 Europe/Tirane
  • Rusia kërcënon seriozisht Perëndimin

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi të martën pasdite se Perëndimi po luan me zjarrin duke lejuar Ukrainën të godasë thellë në Rusi me raketa perëndimore.

Ai ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se Lufta e Tretë Botërore nuk do të kufizohej në Evropë.

Ukraina nisi më 6 gusht sulmet në rajonin perëndimor të Rusisë, Kursk, duke shënuar sulmin më të madh të huaj ndaj Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se do të ketë një përgjigje të denjë nga Rusia ndaj sulmit.

Lavrov, i cili ka shërbyer si ministër i Jashtëm i Rusisë për më shumë se 20 vjet, ka deklaruar se Perëndimi po kërkon të përshkallëzojë luftën në Ukrainë dhe po kërkonte telashe duke marrë në konsideratë kërkesat e Ukrainës për të hequr kufizimet në përdorimin e armëve të furnizuara nga jashtë.

“Tani po konfirmojmë edhe një herë se të luash me zjarrin, si fëmijët e vegjël që luajnë me shkrepëse, është një gjë shumë e rrezikshme për të rriturit, të cilëve u janë besuar armët bërthamore”, u tha Lavrov gazetarëve në Moskë.

“Amerikanët i lidhin pa mëdyshje bisedat për Luftën e Tretë Botërore si diçka që, Zoti na ruajt, nëse ndodh, do të prekë ekskluzivisht Evropën. Por nuk është kështu”, ka shtuar Lavrov.

 

Tags