Spanja shpall tri ditë zi publike pas përmbytjeve të mëdha
Pas përmbytjes më vdekjeprurëse në Spanjë në 30 vitet e fundit, qeveria e vendit shpalli tri ditë zi publike.
Spanja njoftoi se do të mbajë tri ditë zi publike pas përmbytjeve të mëdha e të rralla në këtë vend, të cilat shkaktuan vdekjen e të paktën 62 personave në rajonin e Valencias.
Sipas raportit të agjencisë së lajmeve Reuters: "Shirat e rrëmbyeshëm që filluan në fillim të javës shkaktuan përmbytje të cilat vranë të paktën 95 njerëz, e cila është katastrofa më vdekjeprurëse në këtë vend të Evropës Perëndimore që nga viti 1973."
Përmbytja aktuale është përmbytja më vdekjeprurëse e Spanjës që prej rreth 30 viteve dhe thuhet se shiu ra 8 orë pa pushuar në disa pjesë të Valencias, në lindje të vendit.
Lëvizja e trenave për në Madrid dhe Barcelonë është anuluar dhe shkollat gjithashtu janë mbyllur. Shërbimet e urgjencës u kanë kërkuar njerëzve që të shmangin udhëtimet rrugore dhe të ndjekin këshillat e sigurisë.
Ndërkohë, qytete të tilla si Torres, Chiva dhe Buñol në Valencia regjistruan më shumë se 400 mm reshje shiu, duke bërë që Shërbimi Kombëtar Spanjoll i Motit të lëshojë një alarm të kuq.
Hera e fundit që një përmbytje e rëndë vrau dhjetëra njerëz në Spanjë ishte në vitin 1996, kur shirat e dendur vranë 87 njerëz në një qytet pranë vargmaleve Pirenej.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshkroi përmbytjen si "shkatërruese" dhe shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Spanjën.