Macron refuzon të japë dorëheqjen nga presidenca e Francës
Pas rënies së qeverisë franceze, presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi se do të emërojë një kryeministër të ri në ditët në vijim dhe mohoi se të largohet nga pushteti.
Sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP, duke iu drejtuar francezëve me anë të një fjalimi të enjten në mbrëmje, presidenti Macron refuzoi thirrjet për të dhënë dorëheqjen dhe tha se ai do të qëndrojë në detyrë deri në fund të mandatit të tij, në vitin 2027.
Ai reagoi ndaj veprimeve të partive të ekstremit të djathtë e të majtë dhe ligjvënësve në parlament për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit francez Michel Barnier dhe i akuzoi ata për formimin e një "fronti kundër republikës" për të rrëzuar qeverinë.
Presidenti Macron nuk ka shpallur një kandidat të ri për kryeministër dhe për drejtimin e qeverisë, por tha se do të shpallë një kryeministër të ri në ditët në vijim.
Në një lëvizje të paprecedentë, ligjvënësit francezë votuan mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit Michel Barnier mbrëmjen e së mërkurës, duke shpërbërë qeverinë e vendit.
Kjo është hera e parë që nga viti 1962 që Asambleja Kombëtare e Francës voton për të rrëzuar qeverinë në këtë mënyrë.
Votimi i dha një goditje presidentit Macron, i cili e prezantoi Barnierin si kryeministër në shtator, rreth 90 ditë më parë, pas zgjedhjeve të parakohshme.
Ligjvënësit ishin të pakënaqur me miratimin e buxhetit kombëtar të vitit 2025 nga ana e ish-kryeministrit Michel Barnier, pa u votuar në Parlament.