Si i la të uritur qeveria amerikane miliona qytetarë të saj?
-
Si i la të uritur qeveria amerikane miliona qytetarë të saj?
Pars Today - Me ndërprerjen e plotë të pagesave për programin e ndihmës ushqimore të SHBA-së, më shumë se 42 milionë qytetarë, nga fëmijët tek të moshuarit, që nga 1 nëntori do të mbeten pa një burim ushqimi të përditshëm.
1 nëntori 2025 do të jetë një njollë e zezë në historinë shoqërore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Departamenti Amerikan i Bujqësisë (USDA) njoftoi zyrtarisht se që nga e shtuna, pagesat për programin e ndihmës ushqimore SNAP (Programi i Ndihmës Plotësuese për Ushqyerjen) do të ndalen plotësisht.
Ky program, i cili ofronte ndihmë financiare mujore për më shumë se 42 milionë amerikanë, përfshirë 10 milionë fëmijë, 6 milionë të moshuar dhe miliona persona me aftësi të kufizuara, do të mbyllet për herë të parë në historinë e tij pas 90 vitesh funksionimi të vazhdueshëm.
Ndihma mesatare mujore prej 190 dollarësh për person, e cila kushtonte gjithsej rreth 8 miliardë dollarë në muaj, nuk do të depozitohet më në llogaritë e përfituesve. Kjo fatkeqësi, të cilën ekspertët e quajnë "kriza më e keqe e urisë që nga Depresioni i Madh", nuk është vetëm rezultat i mbylljes 31-ditore të qeverisë federale, por edhe një pasojë e drejtpërdrejtë e politikave buxhetore të administratës Trump dhe bllokimit të Kongresit.
Mbyllja e qeverisë federale filloi më 1 tetor 2025 dhe është ende duke vazhduar për shkak të mosrënies dakord për një buxhet për vitin fiskal 2026. Ligji "One Big Beautiful Bill Act", i nënshkruar nga presidenti Donald Trump, shkurtoi më shumë se 187 miliardë dollarë nga buxheti i programit SNAP deri në vitin 2034. Megjithatë, buxheti i emergjencës i Departamentit të Bujqësisë ishte i disponueshëm deri në fund të nëntorit. Por Departamenti i Bujqësisë, në një deklaratë zyrtare njoftoi se "pagesat janë të pamundura për shkak të shterjes së burimeve financiare". Ky vendim u ekzekutua pavarësisht një padie të ngritur nga 25 shtete dhe Distrikti i Kolumbias kundër qeverisë federale.
Ndërpreja e Programit të Ndihmës Plotësuese për Ushqyerjen (SNAP), e cila fillon të shtunën, do të ketë efekte të menjëhershme dhe shkatërruese në shoqërinë amerikane, dhe pasojat e ndërprerjes së tij, përtej urisë individuale, do të shkaktojnë një zinxhir krizash sociale, ekonomike dhe shëndetësore. Këto kriza përfshijnë krizën shëndetësore dhe kequshqyerjen. Fëmijët, të cilët përbëjnë 40 përqind të përfituesve nga programi SNAP, janë të rrezikuar nga prapambetja, performanca e dobët akademike dhe rritja e sëmundjeve kronike. Organizatat përgjegjëse kanë paralajmëruar se "miliona fëmijë amerikanë janë në rrezik të urisë akute". Spitalet në shtetet e varfra kanë raportuar gjithashtu një rritje prej 25 përqind të pranimeve të pacientëve me simptoma të kequshqyerjes që nga java e kaluar.
Një çështje tjetër është goditja ekonomike për komunitetet lokale; sipas studimeve të Departamentit të Bujqësisë, çdo dollar i përfituar nga ndihma SNAP gjeneron 1.5 deri në 1.8 dollarë në qarkullim ekonomik. Me ndërprerjen e 8 miliardë dollarëve ndihma mujore, shitësit me pakicë të ushqimit, veçanërisht në zonat e varfra rurale dhe urbane, po përballen me një rënie të ndjeshme të shitjeve. Më shumë se 250,000 dyqane të regjistruara në programin SNAP kanë njoftuar se do të zvogëlojnë stokun e tyre të ushqimeve thelbësore për të shmangur humbjet financiare. Kjo do të përkeqësojë inflacionin lokal të çmimeve të ushqimit.
Presioni mbi bankat e ushqimit dhe shërbimet sociale janë disa nga pasojat e tjera të kësaj krize. Organizata e Ndihmave Ushqimore në Pittsburgh raportoi se stoku i saj mjafton vetëm për katër ditë. Në Nju Jork, bankat e ushqimit kanë pasur radhë që shtriheshin për kilometra të tëra dhe shumë persona janë kthyer mbrapsht pa marrë ndihmë. Shtetet po përpiqen të përgjigjen me fonde lokale, por këto masa janë të pamjaftueshme dhe të paqëndrueshme. Kalifornia, përfituesja më e madhe nga programi i ndihmave SNAP, njoftoi se pa ndihmë federale, deri në fund të dhjetorit, më shumë se 4 milionë njerëz në këtë shtet do të përballen me urinë.
Pasojat politike dhe sociale janë gjithashtu ndër pasojat e kësaj krize, me demokratët që e quajnë Trumpin "presidentin e parë që u imponoi urinë miliona njerëzve". Republikanët, nga ana tjetër, akuzuan demokratët se "po e mbajnë peng buxhetin". Senatori Ben Ray Luján ka prezantuar një projektligj të veçantë për të siguruar fonde emergjente për SNAP, por ai është përballur me rezistencë nga shumica republikane. Në qytetet e mëdha, kanë shpërthyer protesta dhe slogani "Ushqimi është një e drejtë, jo një privilegj" ka jehuar në Nju Jork, Los Anxhelos dhe Çikago.
Ndërprerja e programit SNAP nuk është vetëm një problem buxhetor; përkundrazi, ajo është një simbol i një përçarjeje të thellë në shoqërinë amerikane. Në një vend që është shtëpia e njerëzve më të pasur në botë, 42 milionë njerëz, më shumë se popullsia e Kanadasë, kanë mbetur pa një burim ushqimi. Kjo krizë ka gërryer besimin e publikut në institucionet qeveritare dhe ka ngritur pyetje themelore në lidhje me prioritetet kombëtare: A janë mbrojtja, uljet e taksave për të pasurit dhe projektet e infrastrukturës më të rëndësishme sesa parandalimi i urisë së fëmijëve?!
Sidoqoftë, nëse Kongresi nuk e miraton buxhetin në ditët në vijim, miliona familje do të kalojnë Ditën e Falënderimeve dhe Krishtlindjet pa ushqim. Kjo do të ishte jo vetëm një katastrofë humanitare, por edhe një plagë e përhershme në trupin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.