Disa gjëra që Patrick Clawson ua kujton politikanëve amerikanë rreth Iranit
-
Patrick Clawson, ekonomist dhe studiues i njohur amerikan
Pars Today - Patrick Clawson, një ekonomist dhe studiues i njohur amerikan në fushën e Azisë Perëndimore, në një artikull, u kujton politikanëve amerikanë disa gjëra.
Sipas Pars Today, në artikullin e tij të titulluar "Kthimi i vetëbesimit tek Irani?" të botuar në faqen e internetit të Institutit të Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt më 4 nëntor 2025, Patrick Clawson, duke shqyrtuar ndryshimet në qasjet e Iranit pas luftës 12-ditore me Izraelin, thekson se Teherani është shfaqur me më shumë vetëbesim përballë Amerikës dhe Izraelit.
Së pari: Clason thekson se në fjalimin e tij më 20 tetor, Ajetullah Khamenei, Lideri i Revolucionit Islamik, me një ton triumfues mbrojti performancën e Iranit në luftë dhe njoftoi se raketat iraniane ishin në gjendje të godisnin qendra të rëndësishme izraelite. Ai gjithashtu theksoi se Irani është gati për një raund të ri konflikti dhe i prezantoi raketat e prodhuara në vend si një simbol të fuqisë kombëtare.
Së dyti: Clawson theksoi se Irani e konsideron veten fitues të Luftës 12-ditore me Izraelin. Në këtë drejtim, Ali Larixhani, Sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, njoftoi në një intervistë të detajuar me rrjetin televiziv "Press TV" më 4 korrik se Irani kishte dalë fitimtar në luftën e fundit. Duke iu referuar sulmeve fillestare të Izraelit ndaj zyrtarëve dhe shkencëtarëve iranianë, ai tha se Irani mori iniciativën në vazhdimin e luftës. Larixhani citoi burime izraelite si Ehud Olmert, Bezalel Smotrich dhe mediat izraelite për të vërtetuar pikëpamjen e tij, dhe deklaroi se Izraeli dhe Amerika kishin frikë nga vazhdimi i luftës dhe për këtë arsye bënë thirrje për një armëpushim.
Së treti: Clawson paralajmëron se vetëbesimi i Iranit mund të jetë një formë e pengimit (zmbrapsje) psikologjik, por duhet të merret seriozisht. Ai thekson se Uashingtoni duhet të publikojë prova të pakundërshtueshme në lidhje me konfliktet. Ai pretendoi se Irani ndonjëherë e ekzagjeron vlerësimin e humbjeve të veta. Për shembull, Larixhani ka deklaruar se gjashtë raketa iraniane goditën një bazë amerikane në Katar, ndërkohë që Amerika ka konfirmuar vetëm një. Sigurisht, ky pretendim nga Clawson është në kundërshtim me realitetin. Gjeneral-brigade Ali Mohammad Naeini, zëdhënës i Gardës Revolucionare, tha: “Amerika shpenzoi 111 milionë dollarë për të kapur 14 raketa të lëshuara nga Irani, nga të cilat 6 goditën objektivat e tyre të synuara (në bazën Al-Udeid)”.
Së katërti: Clawson thekson se, ndryshe nga sa pritej, Irani nuk ka treguar asnjë gatishmëri për t'u rikthyer në bisedimet bërthamore pas luftës 12-ditore me Izraelin. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Ismail Baghaei, njoftoi më 3 nëntor se shkëmbimi i mesazheve me Uashingtonin nuk do të thotë "rifillim i negociatave". Ajetullah Khamenei, gjithashtu, në një takim me studentët tha se ndërprerja e mbështetjes amerikane për Izraelin dhe tërheqja e forcave amerikane nga rajoni mund të hapë rrugën për një rishikim të disa çështjeve, por kjo nuk është e mundur në të ardhmen e afërt.
Së pesti: Sipas Clawson, në deklaratat e fundit të zyrtarëve iranianë vihet re më shumë theksi në programin raketor sesa në programin bërthamor apo forcat proxy. Ky ndryshim mund të pasqyrojë fokusin e ri të Iranit në parandalimin e drejtpërdrejtë. Clawson rekomandon që analistët amerikanë duhet t'i kushtojnë po aq vëmendje rimëkëmbjes së shpejtë të aftësive raketore të Iranit, sa i kushtojnë programit bërthamor.
Në përfundim të artikullit të tij, Clawson thekson se Irani jo vetëm që nuk ka treguar shenja dobësie që nga lufta 12-ditore, por është shfaqur edhe më i sigurt përballë kërcënimeve. Sipas pretendimit të tij, kjo qasje mund të ndikojë në hartimin e politikave të ardhshme të SHBA-së, pasi gjasat për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme me Iranin janë zvogëluar dhe duhen pritur veprime më agresive nga ana e Teheranit.