Biseda sekrete midis udhëheqësve evropianë; paralajmërim për tradhtinë amerikane ndaj Ukrainës
-
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky
Pars Today - Sipas një bisede të rrjedhur midis krerëve evropianë, ata janë thellësisht të shqetësuar se Amerika do ta tradhtojë Ukrainën në çështjen e lëshimeve territoriale.
Sipas një transkripti të rrjedhur të një telefonate të përbashkët mes udhëheqësve evropianë dhe ukrainas, ku u diskutua mënyra se si të mbështetej Kievi, presidenti francez paralajmëroi se SHBA-ja mund të jetë gati ta tradhtojë Ukrainën.
Sipas Pars Today, revista gjermane "Der Spiegel" ka publikuar detaje të kësaj bisede, e cila u zhvillua më herët me praninë e presidentit francez Emmanuel Macron, kancelarit gjerman Friedrich Merz, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidentit finlandez Alexander Stubb, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe disa zyrtarëve të tjerë në lidhje me negociatat e vazhdueshme mbi planin e paqes të SHBA-së.
Sipas këtij raporti, presidenti francez tha se “ekziston mundësia që Amerika ta tradhtojë Kievin për çështjen e territorit ukrainas pa sqaruar garancitë e sigurisë” dhe paralajmëroi për një "rrezik shumë të madh" që kërcënon Zelenskyn.
Sipas agjencisë së lajmeve Fars, kancelari gjerman gjithashtu iu bashkua diskutimit dhe paralajmëroi se Zelensky duhet të jetë "jashtëzakonisht i kujdesshëm në ditët në vijim". Duke iu referuar përfaqësuesve të Trumpit në bisedimet me Rusinë, Merz tha se "ata po luajnë me ju dhe me ne", duke aluduar për dy personat që kaluan pesë orë me dyer të mbyllura të martën me presidentin rus Vladimir Putin duke diskutuar planin e paqes të SHBA-së.
Sipas transkriptit të publikuar të kësaj bisede telefonike, edhe presidenti finlandez Alexander Stubb u pajtua me deklaratat e Merzit, duke thënë: “Nuk mund ta lëmë Ukrainën dhe Zelenskyn vetëm me këta”, fjalë të cilët u mbështetën edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. “Pajtohem me Alexander-in, ne duhet ta mbrojmë Volodymyr-in”, tha Rutte.
Sipas raportit të "Der Spiegel", në telefonatë morën pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kryeministri polak Donald Tusk, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministrja daneze Mette Frederiksen, Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre dhe presidenti i Këshillit Evropian António Costa.
Biseda telefonike erdhi pasi administrata Trump paraqiti një plan paqeje me 28 pika, i cili u kritikua nga Ukraina dhe aleatët e saj evropianë për atë që ata thanë se bëri shumë lëshime ndaj Rusisë, duke shkaktuar një valë bisedimesh intensive në Gjenevë.
Negociatat pasuese, në të cilat morën pjesë zyrtarë evropianë, ukrainas dhe amerikanë, rezultuan në zhvillimin e një plani të përditësuar prej 19 pikash, me të cilin Rusia ende nuk është pajtuar. Zyrtarët rusë theksojnë se çdo marrëveshje e qëndrueshme duhet të marrë në konsideratë kërkesat themelore të sigurisë së këtij vendi, duke përfshirë neutralitetin e Ukrainës, mosanëtarësimin e saj në NATO ose në ndonjë bllok tjetër ushtarak, demilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës, si dhe pranimin e realiteteve ekzistuese territoriale.