Islamologu amerikan: Imam Khamenei tregoi se Fronti i Rezistencës është përtejfetar
-
Profesori Hajj Muhammad Legenhausen, islamolog dhe mendimtar amerikan
Pars Today - Një mendimtar amerikan e konsideroi Rezistencën një detyrë globale.
Konferenca e Parë Ndërkombëtare "Teologjia e Rezistencës" filloi punimet e saj të mërkurën në qytetin Mashhad në verilindje të Iranit, me pjesëmarrjen e 23 të ftuarve të huaj nga Iraku, Libani, Afrika e Jugut, Tajlanda, Bosnja dhe Hercegovina, Tunizia, Pakistani, Afganistani dhe Indonezia, dhe do të vazhdojë për 2 ditë. Kjo konferencë mbahet me qëllimin e shpjegimit të themeleve teorike dhe teologjike të Rezistencës, duke synuar të forcojë diplomacinë shkencore të Frontit të Rezistencës dhe të zhvillojë diskursin shkencor të Rezistencës në nivel akademik dhe ndërkombëtar.
Sipas Pars Today, islamologu dhe mendimtari amerikan, Profesor Hajj Muhammad Legenhausen, të mërkurën, në Konferencën e Parë Ndërkombëtare "Teologjia e Rezistencës" në Universitetin "Ferdowsi" të Mashhadit, tha: “Rezistenca është një detyrë universale. Kur aktet e rezistencës kryhen vazhdimisht, ajo bëhet zakon dhe pjesë e identitetit njerëzor. Në këtë rast, rezistenca shndërrohet nga një detyrë në një virtyt në shoqëri.”
Ky mendimtar amerikan shtoi: “Rezistenca në filozofinë morale buron nga një vepër që është e nevojshme për të arritur qëllimin”. Ai vuri në dukje dimensionin universal dhe gjithëpërfshirës të Rezistencës dhe theksoi: “Rezistenca Islame nuk kufizohet vetëm tek myslimanët. Ashtu siç Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) i ftoi ndjekësit e feve të tjera të konvertoheshin në Islam, edhe ky Front Rezistence duhet të mirëpritet me krahë hapur.”
Profesori Legenhausen përmendi si shembull Imam Khamenein, Liderin e Revolucionit Islamik, i cili, duke u dërguar një mesazh të rinjve perëndimorë, shumica e të cilëve nuk janë myslimanë, që protestojnë kundër sionizmit, tregoi se ky Front Rezistence është përtejfetar.
Duke iu referuar modelit të përballjeve globale, ai theksoi domosdoshmërinë e përpjekjeve për të eliminuar padrejtësinë globale dhe tha: “Situata në Palestinë dhe gjenocidi i vazhdueshëm zbulojnë natyrën e regjimit sionist dhe detyrën e popujve të botës. Këto çështje duhen ekspozuar dhe shpjeguar në mënyrë që ta kuptojmë detyrën tonë.”