Gjermania e shqetësuar nga fluksi i ri i emigrantëve irakianë
Joachim Ruecker, përfaqësuesi i përhershëm i Gjermanisë në OKB në Gjenevë dhe njëkohësisht koordinator për çështje të Lindjes së Mesme në qeverinë e Merkel, ka shprehur shqetësime për shtimin e hyrjes së emigrantëve irakianë në Gjermani. Ai ka thënë se Gjermania në asnjë mënyrë nuk pret hyrjen e emigrantëve të rinj.
Pas shtimit të luftimeve në Irak, një numër i madh i qytetarëve të këtij vendi janë nisur në drejtim të vendeve evropiane, sidomos të Gjermanisë. Ushtria dhe forcat vullnetare popullore të Irakut gjatë muajve të fundit kanë shënuar fitore të mëdha në luftën kundër grupit terrorist ISIS. Qeveria e Irakut aktualisht po përgatit operacione të mëdha për çlirimin e qytetit Mosul, qendër e provincës Ninva në veri të Irakut dhe në një të ardhme të afërt pritet të fillojnë këto operacione.
Liza Grand, koordinatore e OKB për çështje humanitare në Irak, pretendoi se me fillimin e operacioneve për çlirimin e Mosulit, ky qytet do të përballet me një krizë të madhe njerëzore dhe mijëra banorë të këtij rajoni do të detyrohen të shpërngulen nga shtëpitë dhe vendbanimet e tyre. Duke marrë parasysh faktin se provinca Ninva është afër me kufijtë e Irakut me Turqinë, pritet një fluks i madh i refugjatëve irakianë në drejtim të Turqisë dhe pastaj nga aty këta refugjatë do të nisen drejt vendeve Evropiane.
Gjermania në vitin 2015, ka pranuar mbi një milion refugjatë dhe aktualisht autoritetet e Berlinit janë të shqetësuara se fluksi i ri i refugjatëve të nisur drejt Evropës, destinacion final do të ketë Gjermaninë. Sipas marrëveshjes së BE dhe Turqisë, Ankaraja është obliguar që të ndalojë kalimin e refugjatëve nga Turqia në drejtim të Evropës, mirëpo duke marrë parasysh grusht shtetin e pasuksesshëm që ndodhi dhe situatën kaotike në këtë vend, ekziston mundësia që të shtohet numri i refugjatëve që hyjnë në Turqi dhe pastaj nga atje të nisen drejt Evropës nëpërmjet Greqisë.
Vazhdimi i krizës së refugjatëve sidomos vazhdimi i hyrjes së tyre në Evropë në vitin 2016, është bërë shkak për krijimin e ndarjeve brenda në Bashkimin Evropian. Qëndrimet e disa vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si Hungaria, Sllovakia, Republika e Çekisë, Sllovenia dhe Kroacia tregojnë se këto vende janë kundër ligjeve dhe vendimeve të Bashkimit Evropian në lidhje me refugjatët. Në të kundërtën anëtarët e rëndësishëm të BE sidomos Gjermania kërkojnë nga vendet e tjera anëtare të BE që të zbatojnë vendimet e marra nga institucionet e BE në lidhje me krizën e refugjatëve.