Nëna e ushtarit mysliman të vrarë i përgjigjet Trumpit
Gjatë fjalimit të bashkëshortit të saj në Konventën e demokratëve preferoi të qëndronte e heshtur, nën dhimbjen e thellë që e ka kapluar prej vitesh, që kur djali i saj 27-vjeçar mbeti viktimë e një sulmi me autobombë në vitin 2004 në Irak.
Por tashmë ka vendosur të flasë, e nxitur edhe nga ajo çfarë ka thënë kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, i cili ka shkaktuar jo vetëm një lumë kritikash ndaj tij, por edhe një zemërim mes amerikanëve, kur vuri në diskutim heshtjen e saj gjatë asaj konvente. Ghazala Khan ka thënë se Trumpi nuk është gjë tjetër veçse një injorant në lidhje me Islamin dhe se ai nuk e di se ç’do të thotë fjala sakrificë. Bashkëshorti i saj, Khizr Khan sulmoi kandidatin republikan gjatë një fjalimi emocionues në Konventën Kombëtare Demokrate të së enjtes së kaluar, ndërsa ky i fundit deklaroi më vonë se ai as nuk duhej lejuar të fliste.