Kërkesa e Greqisë drejtuar BE për krizën e emigrantëve
Ministri grek i Emigracionit, Yannis Mouzalas, ka thënë se Greqia është shumë e shqetësuar dhe duhet në çdo rast të kemi një plan B për krizën e emirgantëve.
Mouzalas, gjithsesi, bëri thirrje edhe për një shpërndarje të barabartë të refugjatëve në Europë, shumica e të cilëve vijnë nga Siria, Iraku dhe Afganistani, e që kanë për destinacion përfundimtar Gjermaninë dhe Suedinë. Por shumë vende të BE-së, si Hungaria dhe Sllovakia, kanë kundërshtuar ashpër sistemin e kuotave të propozuar nga BE-ja, për shpërndarjen e drejtë të tyre anembanë bllokut. “Refugjatët duhen shpërndarë në mënyrën më të drejtë në të gjitha vendet e BE-së, e jo vetëm te disa shtete”, tha ministri grek. Më shumë se 257 mijë emigrantë dhe refugjatë kanë hyrë në Europë përmes detit nga fillimi i këtij viti deri më 27 korrik, ndërsa të paktën 3.000 kanë humbur jetën në të tilla udhëtime të rrëzikshme me gomone të papërshtatshme për lundrim. Këto shifra janë më të fundit të publikuara nga Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit (IOM), shifra të cilat përfaqësojnë një rritje të ndjeshme nga e njëjta periudhë e vitit 2015.