Luksemburgu kërkon dëbimin e Hungarisë nga BE
Ministri i Jashtëm i Luksemburgut Aselborn ka bërë thirrje që Hungaria të pezullohet apo edhe të përjashtohet nga Bashkimi Evropian, për shkak të shkeljes massive të vlerave themelore të BE-së.
Ai përmendi trajtimin e qeverisë së Budapestit ndaj refugjatëve, pavarësisë së gjyqësorit dhe lirisë së shtypit. “Hungaria nuk është shumë larg lëshimit të urdhërave për të hapur zjarr ndaj emigrantëve” tha ai. Udhëheqësit e BE-së takohen në Sllovaki të premten për të diskutuar mbi të ardhmen e bashkimit. Intervista e Aselborn me të përditshme gjermane Die Welt ka të ngjarë të ndezë tensionet përpara samitit. "BE-ja nuk mund të tolerojë sjellje të tilla të papërshtatshme,” tha ai, “dhe se çdo shtet që ka shkelur vlerat themelore të BE-së duhet të përjashtohet përkohësisht, ose nëse është e nevojshme përgjithmonë nga BE”. “Brukseli nuk mund të pranojë që vlerat e tij themelore të shkelen hapur. Ato vende si Hungaria, që ndërton barriera kundër refugjatëve të luftës, apo shkel lirinë e shtypit dhe atë të gjyqësorit, duhet të pezullohet përkohësisht ose në mënyrë të përhershme”, ka deklaruar Asselborn. Shefi i diplomacisë së Luksemburgut ka folur për një modifikim të traktateve të BE-së, në mënyrë që një opsion i tillë të bëhet i mundur. Më herët, kryeministri hungarez Viktor Orban kishte akuzuar Asselborn se kishte diskredituar ndërkombëtarisht Hungarinë.