BE kërkon reformimin e sistemit elektoral në Bjellorusi
Bashkimi Evropian ka thënë se zgjedhjet parlamentare në Bjellorusi të mbajtura më 11 shtator, tregojnë nevojën e “një reforme gjithëpërfshirëse zgjedhore”.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijancic, deklaroi se zgjedhjet parlamentare në Bjellorusi ishin larg standardeve të pranuara nga BE dhe treguan se është e nevojshme një reformë e përgjithshme zgjedhore në këtë vend. Në deklaratën e zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijancic thuhet se votimi “ka treguar se ka nevojë për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore si pjesë e procesit të demokratizimit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë”. “Ne presim që autoritetet në Bjellorusi të rifillojnë punën në këtë proces”, thuhet në fund të deklaratës. Por shefi i Ogranizatës për Siguri dhe Bashkëpunim i misionit të përkohshëm vëzhgues në Bjellorusi, Kent Harstedt, ka thënë se zgjedhjet ishin “shumë larg të qenurit të lira dhe të ndershme”. Dy figura opozitare fituan vende në parlament gjë që ka ndodhur për herë të parë pas 20 vjetësh. Pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje ishte një lëshim i autoriteteve pas thirrjeve të perëndimit për më shumë transparencë në Bjellorusi. Këtë herë, edhe monitorues të jashtëm u lejuan që të marrin pjesë në proces. Raportet mes Bjellorusisë dhe perëndimit janë përmirësuar së fundmi, që pas lirimit të të gjithë të burgosurve politikë. Presidenti Lukashenko, në pushtet që prej vitit 1994, ka qenë gjithnjë një aleat i fortë i Moskës, por së fundmi kjo marrëdhënie është dobësuar, sidomos pas aneksimit rus të Krimesë. Vetë Lukashekno tha se Bjellorusia bëri gjithçka që të mos kishte ankesa për zgjedhjet, kur raportohet edhe për fitoren e një kandidateje të pavarur.